Produktet e duhanit nuk do të lejohet të shiten online, ndërsa të miturit nuk do të mund t’i blejnë, pasi do u kërkohet të dëshmojnë moshën e tyre. Projektligji i ri kundër duhanit parashikon kufizime më të forta për të penguar aksesin e fëmijëve dhe të rinjve te cigaret tradicionale apo dhe ato elektronike.

Ministria e Shëndetësisë ka hedhur për konsultim publik aktin e ri, i cili vjen 20 vite pas ligjit aktual, zbatimi i së cilit la shumë për të dëshiruar.  Për herë të parë, në fokus janë edhe produktet e reja përtej cigares “tradicionale”, si cigaret elektronike, qeskat me nikotinë dhe produktet me avullim, ose siç njihen ndryshe vape.  

“Ky ligj zbatohet për:

a) produktet e duhanit

b) cigaret elektronike dhe enët rimbushëse

c) produktet bimore për tymosje

ç) produktet e reja të duhanit

d) qeskat me nikotinë

dh) produktet njëpërdorimëshe për avullim

e) produktet e tjera që emetojnë tym ose aerosol pavarësisht nëse prodhohen në territorin e Republikës së Shqipërisë ose importohen.”

Mosha minimale për blerjen mbetet 18 vjeç, por shitësit do të kenë mundësi të kërkojnë dokument identifikimi kur kanë dyshime për moshën e blerësit. Në këtë rast, në mungesë të një dokumenti, produkti nuk duhet t’u shitet.

Drafti vendos theks të veçantë të ndalimi i porosive përmes online dhe përmes shërbimit postar. Sipas relacionit, aktualisht mungon një sistem i besueshëm për verifikimin e moshës gjatë porosisë dhe dorëzimit, duke krijuar rrezik që produktet të përfundojnë në duart e të miturve. Kufizime do të ketë edhe për shitjen përmes makinave automatike, vetëshërbimit dhe shitësve ambulantë.

Projektligji zgjeron gjithashtu hapësirat ku ndalohet duhanpirja, duke përfshirë jo vetëm tymin tradicional, por edhe produktet që emetojnë “aerosol”. Ndalimi do të përfshijë ndër të tjera edhe këndet e lojërave, zonat sportive dhe ndalimi i konsumit në një rreze prej 10 metrash nga institucionet arsimore dhe shëndetësore.

Kufizime të forta parashikohen edhe për reklamimin dhe promovimin e produkteve të duhanit. drafti ndalon reklamat në median e shkruar, televizion, radio dhe platformat online, si dhe sponsorizimin e aktiviteteve nga kompanitë e këtij sektori.

Gjoba mbetet e njëjta, nga 5 mijë deri në 5 milionë lekë, në varësi të shkeljes, si dhe konfiskimi dhe asgjësimi i produkteve.

E po e njëjta mbetet dhe sfida e vërtetë e ligjit të ri: sa realisht ai do të respektohet!