Ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës bazë ushqimore është një nga ndërhyrjet kryesore të Paketës Fiskale 2027, që synon lehtësimin e kostos së jetesës dhe mbështetjen e buxheteve familjare. Ministri i Financave, Petrit Malaj thotë se kjo nismë shoqërohet me një angazhim të konsiderueshëm financiar për buxhetin e shtetit, pasi të ardhurat që nuk do të arkëtohen si rezultat i kësaj politike vlerësohen në mbi 130 milionë euro.
“Është një nismë që kërkon një angazhim të madh financiar, pasi bëhet fjalë për mbi 130 milionë euro të munguara në buxhetin e shtetit si rezultat i kësaj politike”, u shpreh Malaj. Ministri bëri të ditur se Ministria e Financave, në bashkëpunim me administratën tatimore dhe doganore, po punon për përcaktimin e listës së 54 produkteve që do të përfitojnë nga ulja e TVSH-së.
“Ministria e Financave, në bashkëpunim me Tatimet dhe Doganat, është duke punuar për listën e produkteve të shportës, e cila brenda këtij viti do të miratohet në Këshillin e Ministrave. Planifikimi ynë është që kjo ulje e çmimit të produkteve të shportës të hyjë në fuqi nga data 1 janar 2027”, deklaroi Malaj.
Sipas Ministrit, synimi i kësaj ndërhyrjeje është që ulja e taksës të reflektohet drejtpërdrejt në çmimet që konsumatorët paguajnë për produktet ushqimore të përditshme. “Angazhimi ynë është që kjo ulje e taksës të reflektohet në çmimet që familjet shqiptare paguajnë çdo ditë”, theksoi Malaj.
