Grupi rebel i Houthive ka sulmuar një ndërtesë në kryeqytetin saudit, Riad, ku ndodhet selia e Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite, duke shkaktuar dëme në disa kate të saj. Sipas Reuters, objektivi ishte Kulla PIF, një rrokaqiell 80-katësh, 385 metra i lartë, i vendosur në Lagjen Financiare të Mbretit Abdullah. Sulmi theu xhamat në shtatë deri në tetë kate dhe dëmtoi pjesë të fasadës metalike të ndërtesës. Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile bëri të ditur se ekipet e shpëtimit u mobilizuan menjëherë pas incidentit, ndërsa shërbimet përkatëse zbatuan protokollet e emergjencës, me përparësi mbrojtjen e jetës dhe pronës.