Zhdukja e 700 mijë eurove në Postën e Durrësit ishte tema në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”. Gazetarja Klodiana Lala thotë se vjedhja është edhe më e madhe. Sipas gazetares, vjedhja ka qenë sistematike dhe nis që prej vitit 2020. Lala tha se dëmi mendohet të ketë shkuar në 8 miliardë lekë të vjetra. Po ashtu, gazetarja tha se në këtë skemë janë të përfshirë jo vetëm drejtuesit e Postës, por edhe ish-drejtuesit e saj, mes tyre edhe deputetja aktuale e PS-së, Enkeleda Budini.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Çfarë është kjo çështje, si funksiononte skema në Durrës?
Lala: Kur u arrestua Elisabeta Mataj, drejtoreshë e Postës në Durrës, ju kam thënë se është një çështje që e tejkalon zonjën. Në muajin korrik të këtij viti, Prokuroria e Durrësit firmosi urdhërarrestin për Elisabeta Matajn, e cila kishte 7 muaj në atë detyrë, në vend të Enkeleda Budinit, që u zgjodh deputete. Nga të dhënat e Postës Qendrore rezultonte se në Postën e Durrësit ishin zhdukur 700 mijë euro.
Në atë kohë dyshohej se paratë ishin marrë nga arkëtarja dhe ish-shefja e Financës. Janë publikuar gjatë verës pamje filmike ku ato kanë dalë me shumë para. Prokuroria e Durrësit arriti në përfundimin se vjedhja e parave ka qenë sistematike dhe ka dyshime të forta se jemi përballë një grupi të strukturuar kriminal. Dyshohet se në këtë skemë janë të përfshirë edhe persona me imunitet parlamentar. Prokuroria e Durrësit ka dyshime se në këtë skemë është e përfshirë edhe deputetja Enkeleda Budini. Në Postën Shqiptare funksionon një sistem që quhet ETERNA.
Rakipi: Çfarë është ETERNA?
Lala: Është njësoj si sistemi TIMS. ETERNA është sistemi financiar brenda Postës. Që nga viti 2020, kur ky sistem u implementua, ish-shefja e Financës… U vendos që të gjitha pagesat, edhe ato në Kadastër, të kryheshin kundrejt një pagese në Postën Shqiptare. Bëhet fjalë për miliona lekë që arkëtohen gjatë gjithë kohës. Këto zonja dyshohet se kanë kryer vjedhje që mund të ketë shkuar deri në 8 miliardë lekë. Vjedhja fillon që në vitin 2020. Sipas auditit të brendshëm, dëmi shkon në 8 miliardë lekë.
Kjo është një nga segmentet. Kemi një zinxhir të strukturuar kriminal, prandaj çështja ka shkuar në SPAK. Në vend që të bëhej rakordimi i të gjitha këtyre, paratë janë nxjerrë cash. Dyshimet janë se këto para mund të jenë hedhur në fushatë zgjedhore.
Këto para në sistemin ETERNA, ky 5% është problematikë. Si ka mundësi që Kadastra, e cila duhet të kishte lekët në buxhetin e vet, nuk ka ngritur asnjë alarm? Bëhet fjalë për 6 vite që është kryer kjo skemë. E njëjta gjë ka ndodhur te Tatimet dhe te pensionet. Ka pasur një ankesë në atë kohë. Para se të bëhej arrestimi i Elisabeta Matajt, është bërë një audit, por nuk kanë vërejtur vjedhje.
