Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, znj. Sadleva Bodo, zhvilloi një vizitë monitoruese në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të veprimtarisë së institucioneve penitenciare, vlerësimit të kushteve dhe ndjekjes së problematikave të evidentuara.

Fillimisht, ajo u prit nga stafi drejtues dhe administrativ i institucionit, ku u prezantua situata aktuale, u diskutuan problematikat dhe sfidat e evidentuara në sektorët përkatës, si dhe u analizua ecuria e punës dhe funksionimi i institucionit.

Gjatë vizitës, një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe incidentit të ndodhur më herët në këtë institucion, ku një i dënuar mbeti i dëmtuar pas një konflikti me një të dënuar tjetër i cili ka probleme të shëndetit mendor.

Në kuadër të kësaj vizite, znj. Bodo zhvilloi takime të drejtpërdrejta me të dy të dënuarit, me qëllim njohjen nga afër me situatën, rrethanat e ngjarjes dhe shqetësimet e tyre. Gjatë takimeve, ajo u njoh me informacionet e paraqitura prej tyre, duke theksuar rëndësinë e trajtimit me seriozitet dhe përgjegjësi të çdo problematike të evidentuar.

Ndërkohë, rasti vijon të jetë në shqyrtim nga strukturat inspektuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat po ndjekin procedurat përkatëse për verifikimin e rrethanave dhe vlerësimin e plotë të ngjarjes.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar për ndjekjen e këtij rasti dhe trajtimin e tij në përputhje me procedurat ligjore, duke garantuar që çdo veprim institucional të kryhet me përgjegjësi, profesionalizëm dhe në respektim të të drejtave të personave të privuar nga liria.