Analisti Fatos Lubonja ka vënë në dukje përplasjen mes kërkesave të protestuesve dhe mënyrës se si Partia Demokratike po përpiqet të pozicionohet përballë lëvizjes qytetare, gjatë një interviste në News24.
Duke analizuar transformimin e protestës, nga kauza mjedisore e “Flamingove” te tubimet e studentëve dhe kërkesat për ndryshim politik, Lubonja tha se PD rrezikon të krijojë një ndarje mes vetes dhe protestuesve, duke e paraqitur praninë e saj si një mbështetje apo mbrojtje për studentët.
Sipas tij, kjo qasje mund të krijojë perceptimin se studentët janë një palë më e dobët, që ka nevojë për mbrojtjen e një force më të madhe politike.
Në analizën e tij, Lubonja dalloi tri nivele të kërkesave që kanë shoqëruar protestën: nga kundërshtimi fillestar i çështjeve mjedisore, te largimi i Edi Ramës dhe, në nivelin më të gjerë, ndryshimi i të gjithë sistemit politik.
Pikërisht kërkesën e fundit ai e konsideroi si sfidën që prek jo vetëm mazhorancën, por edhe opozitën. Sipas analistit, thirrjet për një Shqipëri të re dhe përgjegjësi politike për të gjithë klasën politike përfshijnë edhe Sali Berishën dhe Partinë Demokratike.
Lubonja u ndal edhe te dallimi mes mbështetjes për pjesëmarrjen e demokratëve në protestë dhe pranimit të lidershipit të tyre. Ai tha se protestuesit mund të kërkojnë praninë e individëve të PD-së, pa i deleguar kësaj force politike drejtimin e lëvizjes.
Sipas tij, opozita nuk po arrin të përballet me kërkesën për përgjegjësi që vjen edhe në adresë të saj, ndërsa kjo e bën të paqartë drejtimin që mund të marrë protesta në vijim.
Në përfundim, analisti vlerësoi se dalja nga kjo situatë do të kërkonte krijimin e një alternative politike që të bashkonte sa më shumë forcat kundërshtare të qeverisë, duke ndërthurur kërkesën për largimin e Ramës me ndryshimin e sistemit.












