Mali i Zi ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt Bashkimit Europian duke mbyllur përkohësisht edhe dy kapituj negociatash në Bruksel. Tashmë numri i kapitujve të mbyllur ka shkuar në 25 nga 33 gjithsej. Bëhet fjalë për tatimet dhe politikën rajonale, fusha që lidhen drejtpërdrejt me ekonominë dhe fondet europiane.
Vendimi u bë i ditur në Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel, ku Ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Thomas Byrne, vlerësoi reformat e ndërmarra nga institucionet malazeze dhe theksoi se gjatë presidencës irlandeze janë mbyllur nëntë kapituj, më shumë se në çdo presidencë tjetër të Këshillit të BE-së.
Edhe komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi këtë rezultat si një sukses të rëndësishëm, duke bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti janë mbyllur 13 kapituj. Ndërkohë, Podgorica synon të zgjidhë edhe mosmarrëveshjet e mbetura me Kroacinë, përfshirë çështjet e kufirit tokësor, përpara hyrjes në BE.
Liderët e pranishëm shprehën bindjen se Podgorica mund t’i mbyllë kapitujt e mbetur deri në fund të vitit. Ky zhvillim vjen pas dy kapitujve të mbyllur në fillim të nëntorit, në rrugën e nisur që në vitin 2012.










