Hetimi për abuzimet financiare në filialin e Postës Shqiptare në Durrës mund të jetë shumë më i gjerë sesa rasti i drejtoreshës dhe dy punonjëseve të arrestuara. Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, deklaroi se hetimet po shtrihen drejt një skeme të dyshuar për përvetësimin e miliona eurove, e cila mund të ketë funksionuar prej disa vitesh.
Sipas Lalës, auditi fillestar kishte evidentuar një mungesë prej rreth 700 mijë eurosh, por verifikimet e mëtejshme kanë ngritur dyshime për një dëm shumë më të madh, që mund të arrijë në 8 miliardë lekë ose edhe më tepër.
Në qendër të skemës është sistemi financiar ETERNA, i përdorur nga Posta Shqiptare që prej vitit 2020. Përmes tij kryhen pagesa të ndryshme të qytetarëve, përfshirë edhe ato për shërbimet e Kadastrës. Lala shpjegoi se dyshimet lidhen me mospërputhjen mes pagesave të kryera nga qytetarët dhe shumave që duhej të depozitoheshin në llogaritë përkatëse të institucioneve.
Sipas gazetares, në vend që shumat e arkëtuara të kalonin në destinacionin e tyre, një pjesë e tyre dyshohet se është tërhequr në cash. Ajo ngriti gjithashtu dyshime se praktika të ngjashme mund të jenë shtrirë edhe në pagesat për Tatimet dhe pensionet, si dhe në filiale të tjera të Postës Shqiptare.
Një tjetër element që e bën çështjen më të gjerë lidhet me emrat që mund të përfshihen në hetim. Lala deklaroi se Prokuroria e Durrësit ka dyshime edhe për ish-drejtoreshën e institucionit, Etleva Budini, e cila aktualisht është deputete, çka e çon çështjen edhe drejt verifikimeve për persona me imunitet parlamentar.
Gazetarja solli në vëmendje edhe mënyrën se si nisi zbulimi i rastit. Sipas saj, një zyrtar kishte informuar kryeministrin Edi Rama për problematikën, pas së cilës u ndërmor një auditim. Megjithatë, ajo tha se para arrestimit të Elisabeta Matajt, një kontroll i mëparshëm nuk kishte evidentuar shkelje. Dorëheqjet e mëvonshme dhe dëshmitë kontradiktore, sipas saj, çuan në zgjerimin e dyshimeve dhe në hetimin e mundshëm për një grup të strukturuar kriminal.
Lala ngriti pikëpyetje edhe për mungesën e sinjalizimeve nga institucionet përfituese të pagesave, veçanërisht Kadastra, e cila duhej të konstatonte nëse shumat e qytetarëve po kalonin realisht në buxhetin e saj.
Ajo paralajmëroi se verifikimi nuk duhet të kufizohet vetëm te filiali i Durrësit, por të përfshijë të gjithë rrjetin e Postës Shqiptare dhe mënyrën se si funksionon sistemi ETERNA.
Sa i përket destinacionit të parave, gazetarja ngriti edhe dyshimin nëse një pjesë e tyre mund të jetë përdorur për financimin e fushatave zgjedhore, por kjo mbetet një pistë që kërkon verifikim nga hetuesit.
“Prandaj është histori më e madhe sesa një drejtoreshë dhe disa punonjës. Duhet një hetim në të gjithë filialet e postave”, deklaroi Lala.














