Buxheti 2027/ “Familjet do të dalin me fitim”, ministri Gonxhe shpjegon taksën e re të mjeteve në “Top Story”: Do ulet ndjeshëm kosto për ata që udhëtojnë më shumë

19/11/2026 22:10

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Story” ku foli për Buxhetin 2027.

Ministri Gonxhe shpjegoi konkretisht taksën e re të mjeteve, duke theksuar se familjet do të dalin me fitim pas hyrjes në fuqi të kësaj takse, ai shtoi se kostoja për ata që udhëtojnë më shumë do të ulet ndjeshëm.

“Do të doja të sqaroja në lidhje me çmimet e karburanteve që nuk është e vërtetë që e gjithë vlera që mblidhej nga taksat e qarkullimit në litër të karburantit do të kalojë, siç ka qenë, direkt në taksën e mjeteve, sepse jam marrë më parë edhe së fundmi. Është e subvencionuar edhe kjo barrë që i vihet mjetit, pra rreth mbi 55 milionë euro të dhëna nga buxheti i shtetit, në mënyrë që kalimi, transferimi i kësaj barre të mos jetë i njëjtë, të jetë më i ulët tek mjetet. Nga ana tjetër, do të punohet me një logjikë, me një mekanizëm që do të jetë edhe më i drejtë për atë që është amortizimi rrugor dhe që ka vend nga taksat e huaja. Vihet koncepti i ri i vinjetës, që vetëm deri tani, sa flasim për këtë vit, kanë qarkulluar në vendin tonë mbi 2.7 milionë mjete, në mos gaboj. Madje, një pjesë e tyre nuk furnizohen me karburant në vendin tonë, për shkak të çmimit të lartë që ka qenë, që është ende dhe që nuk do të jetë që nga janari.

Është menduar në gjithë projeksionin që është bërë për kalimin e kësaj takse të mjetit të hiqet edhe vinjeta, të hiqet një pjesë e saj, që thashë që është një ndihmë, që të mos e rëndojë taksën e mjetit aq sa thatë ju. Do ta shikoni skemën finale. Taksa vjetore nuk ka dalë ende, do të dalë kur të hyjë në fuqi. Nuk ka lidhje fare, se dhe unë e njoh atë treg, nga familja merrem me atë treg.

Edhe një herë po ju them, sidomos për ata që bëjnë një numër kilometrash, sot familjet kanë mjete, koha në trafik është rritur, distancat janë rritur, do të kenë absolutisht një kursim, më pak kosto në litrin e karburantit. Si me thënë, një kumulativ vjetor do të jetë i padiskutueshëm, do të fitojnë edhe krahas taksës së mjetit.

Po punohet që të limitohet nga ekspertë realë e gjithë skema e taksave dhe llogarisë në mënyrë të tillë që të mos preken mjetet e transportit publik, mjetet që kanë lidhje me punën, me bizneset dhe që mjetet me cilindratë deri në 2.0 të mbrohen sa më shumë dhe të ngarkohen me më pak barrë tek taksa e mjetit. Të gjithë këta që po them do të fitojnë.

Është duke u diskutuar edhe një taksë regjistrimi, që të mos ngarkohet flota kombëtare që e kemi sot me 1 milion mjete. Mjetet që mund të hyjnë në Shqipëri në vijim janë 90 mijë regjistrime të reja që bëhen në vit, të mund të kenë një taksë regjistrimi që mund të jetë e përshtatshme, që mund të jetë nga 100 apo 200 euro, e cila edhe ajo do të japë një ndihmë, pak këtu, pak atje, të mos bëhet një barrë e atij niveli që ju përshkruat.

Nga ana tjetër, është projektuar dhe sasia që do të fitojë shteti nga një karburant më i lirë në pompë.

Edhe projeksioni i asaj që do të vijë në arkat e shtetit nga më shumë sasi karburanti që do të shitet, për shkak se çmimi do të jetë më konkurrues në rajon. E ke parasysh që afër kufirit ka njerëz që blejnë karburant matanë kufirit, që dalin dhe hyjnë? Këta shqiptarë do të blejnë përsëri karburant në Shqipëri dhe të huajt do të blejnë më shumë karburant në Shqipëri”, u shpreh ministri Gonxhe.

Top Channel