Kosovë/ Policia kontrollon 102 lokale, 8 të arrestuar për prostitucion, mes tyre edhe një shqiptar

19/11/2026 22:59

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të gjerë në të gjithë vendin kundër prostitucionit dhe trafikimit me qenie njerëzore.

Në pranga kanë përfunduar tetë persona, ndërsa 15 lokale të muzikës live dhe qendra masazhi janë mbyllur për shkelje administrative.

Operacion i gjerë i Policisë së Kosovës ka vënë në shënjestër 102 subjekte në të gjithë territorin e vendit, mes tyre 40 lokale të muzikës live dhe 62 qendra masazhi.

Aksioni është zhvilluar nga data 3 deri më 17 nëntor, në kuadër të planit operacional “Vjeshta 2026”, në bashkëpunim me inspektorë të institucioneve të ndryshme shtetërore.

Si rezultat i kontrolleve, tetë persona janë arrestuar në lidhje me katër raste të “Marrje me prostitucion, Eskorta”. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, nga katër meshkujt e arrestuar, tre janë shtetas të Kosovës dhe një i Shqipërisë. Ndërsa mes femrave të arrestuara janë një shtetase braziliane dhe tri kolumbiane.

Për rastet janë dorëzuar fletëparaqitjet në Gjykatë, e cila ka vendosur gjoba për të dyshuarit. Për shtetaset e huaja janë vendosur edhe masa dëbimi nga Kosova, si dhe ndalim hyrjeje në territorin e vendit nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Top Channel