A mund të jetë Vangelis Pavlidis zgjidhja e problemeve në sulmin e Man Utd?
Manchester United mund të ndërhyjë në afatin kalimtar të janarit për të përforcuar repartin ofensiv, ndërsa njëri prej emrave që po përmendet si kandidat është sulmuesi i Benficas, Vangelis Pavlidis.
Trajneri Mauricio Pochettino ka nevojë për më shumë alternativa në sulm, veçanërisht pas lëndimit të Benjamin Sesko. Sulmuesi slloven kishte filluar të tregonte formë të mirë para se të ndalej nga lëndimi, por edhe pas rikthimit do t’i duhet kohë për ta arritur ritmin e duhur.
Në anën tjetër, Bryan Mbeumo ka treguar se di të shënojë, por paraqitet më mirë kur luan përkrah një sulmuesi qendror me fizik më të fuqishëm, sesa si numër nëntë i vetëm. Për këtë arsye, afrimi i një qendërsulmuesi mund të jetë një nga prioritetet e Unitedit.
😮💨 Goal nr. 50 for Pavlidis in #LigaPortugalBetclic! https://t.co/h7ReslLlR1
— SL Benfica (@slbenfica_en) October 26, 2026
Pavlidis, 19 gola në 19 ndeshje
Një prej kandidatëve që po lidhet me klubin anglez është 27-vjeçari Vangelis Pavlidis, i cili po kalon një sezon të jashtëzakonshëm me Benfican. Sulmuesi grek ka realizuar 19 gola në 19 paraqitje në të gjitha garat, duke u shndërruar në një prej sulmuesve më produktivë në Evropë.
Sipas raportimeve, Pochettino ka shprehur dëshirën për të pasur në skuadër një sulmues me potencial të madh shënimi, ndërsa emri i Pavlidisit është përmendur në këtë kontekst. Greku thuhet se është i hapur për një kalim në Ligën Premier, në rast se Manchester United paraqet interes konkret.
Shifrat e tij në dy sezonet e fundit janë mbresëlënëse: 50 gola dhe 11 asistime në 76 ndeshje në të gjitha garat. Ai ka goditur edhe 13 herë shtyllën ose traversën, çka tregon se bilanci i tij mund të kishte qenë edhe më i lartë.
Vangelis 'Goal' Pavlidis. 🇬🇷 https://t.co/j4qoYgzTlW
— SL Benfica (@SLBenfica) October 16, 2026
Statistika mbresëlënëse në sulm
Pavlidis ka një saktësi të goditjeve prej 60.54 për qind dhe një përqindje konkretizimi prej 23.49 për qind. Që nga fillimi i sezonit 2025/26, ai ka regjistruar 332 goditje drejt portës, më shumë se dyfishi i lojtarit që renditet pas tij, Gianluca Prestianni, me 145.
Edhe në goditjet në kuadratin e portës diferenca është e madhe. Greku ka 158 goditje të tilla, ndërsa Prestianni, rivali më i afërt në këtë statistikë, ka 48.
Që nga fillimi i sezonit të kaluar, Pavlidis ka realizuar shtatë dopieta dhe shtatë tregolësha, duke qenë dukshëm përpara bashkëlojtarëve të tij në këto statistika. Ai ka regjistruar edhe 56 goditje me kokë, ndërsa vetëm Nicolas Otamendi i afrohet me 46.
Për më tepër, sulmuesi ka qenë shumë aktiv në krijimin e rasteve, duke përfituar nga 126 raste të mëdha të krijuara nga skuadra. Në statistikat e driblimeve të kompletuara ka 84, duke u renditur i treti te Benfica, pas Prestiannit dhe Andreas Schjelderupit.
Megjithatë, jo të gjitha statistikat e tij janë pozitive. Përqindja e pasimeve të sakta prej 72.23 për qind është më e ulëta në mesin e lojtarëve të Benficas që konsiderohen titullarë të rregullt. Edhe në duele ka një bilanc më modest: ka zhvilluar 1.171 duele dhe ka fituar 504 prej tyre, me sukses prej 43.04 për qind.

Manchester United duhet ta bindë sulmuesin
Interesim për Pavlidisin kishte shfaqur më herët edhe Barcelona, ndërsa forma e tij aktuale e bën një emër tërheqës për klubet e mëdha evropiane.
Megjithatë, Manchester United mund ta ketë të vështirë ta bindë sulmuesin për një transferim. Skuadra angleze po kalon një periudhë të vështirë dhe pozita e saj në tabelën e Premier League, në zonën e rrezikut, mund të ndikojë në vendimin e futbollistit.
Pavlidis thuhet se është i hapur për një aventurë në Angli, ndaj Unitedi mund të shqyrtojë mundësinë e bisedimeve me Benfican dhe përfaqësuesit e lojtarit. Për Pochettinon, një sulmues me statistika të tilla mund të jetë një përforcim i rëndësishëm për pjesën e dytë të sezonit. /Telegrafi/
































