Një apel për ndihmë ka ardhur në redaksinë tonë nga Durrësi, ku një djalë i ri raportohet se prej afro tre javësh po kalon netët dhe ditët në ambientet e stacionit të trenit, pasi nuk ka një strehë ku të qëndrojë.
Rasti është bërë i ditur nga një qytetar, i cili tregon se e ka parë të riun duke fjetur në këtë ambient, i ekspozuar ndaj të ftohtit dhe shiut. Pasi ka biseduar me të, qytetari thotë se ka mësuar se ai është i pastrehë dhe ka nevojë për ndihmë.
Sipas tij, një natë i riu është marrë edhe nga policia, por më pas është lënë sërish në të njëjtat kushte.
Qytetari shprehet se i ka ofruar ndihmë për të gjetur një strehim, por i riu ka shfaqur frikë nga identifikimi dhe ka kërkuar që të mos filmohet apo ekspozohet, pasi nuk dëshiron të shihet nga persona të caktuar.
Përmes këtij publikimi, apelohet për ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse dhe shërbimeve sociale në Durrës, që të riut t'i ofrohet një strehë e sigurt dhe ndihma e nevojshme.
Asnjë i ri nuk duhet të detyrohet të kalojë netët në rrugë, në të ftohtë dhe pa një vend ku të ndihet i sigurt.
Le të mos mbetet ky rast vetëm një denoncim, por të shërbejë si një thirrje për ndihmë!