Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka bërë një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të ndryshojë mënyrën e drejtimit të Partisë Socialiste dhe të qeverisë, si dhe të garantojë zgjedhje brenda forcës politike.
Në emisionin “Top Story”, Spiropali u shpreh se Rama duhet të mbrojë trashëgiminë e tij politike dhe të mos lejojë që e gjithë partia të bëhet mburojë për individë që, sipas saj, nuk e meritojnë besimin e qytetarëve.
“Edi Rama, nëse patjetër do të rrijë në krye të kësaj force politike dhe të kësaj qeverie dhe të rrijë me nder, duhet patjetër që të bëjë divorcin e tij nga këto praktika. Duhet patjetër që të ndahet nga ky model qeverisjeje dhe i partisë”, tha ajo.
Spiropali kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve brenda PS-së, duke theksuar se gara duhet të shtrihet edhe në përzgjedhjen e ministrave dhe drejtuesve të administratës, në bazë të meritokracisë.
“Unë i kërkoj Edi Ramës dhe shumë të tjerë zgjedhje brenda Partisë Socialiste. Nuk është e rëndësishme emri, është i rëndësishëm modeli nga i cili duhet të bëhen zgjedhje në Partinë Socialiste. Zgjedhjet e fundit në Partinë Socialiste janë bërë në 2009. Nuk ka asnjë model sot në Europë dhe në botë ku nuk bëhen zgjedhje brenda një force politike”, u shpreh deputetja.
Gjatë intervistës, ajo solli në vëmendje edhe çështjen e Belinda Ballukut, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e marrjes së vendimeve të rëndësishme në qeverisje. Si shembuj përmendi Portin e Durrësit dhe projektin e aeroportit, për të cilat tha se vendimmarrja nuk duhet të varet nga vullneti i një individi.
“Është çështja e personalizimit ekstrem të pushtetit që e sjell këtë lloj pasoje. […] Nuk meriton Shqipëria sot që të ketë një proces vendimmarrjeje, i cili nuk bazohet te interesat personale, as te llastimi, as te pushteti i njëri-tjetrit”, deklaroi Spiropali.
Ajo theksoi se çështjet që lidhen me zyrtarët nën hetim duhet të trajtohen jo vetëm në dyert e SPAK-ut dhe gjykatave, por edhe përmes përgjegjësisë politike brenda Partisë Socialiste.