Fier, dyfishohen investimet në energjinë e pastër/ Bizneset dhe institucionet, më të orientuara drejt paneleve diellore


Me një potencial të hershëm energjitik që buron nga nëntoka, Fieri po shndërrohet në fuqi energjitike duke shfrytëzuar tashmë pasurinë që vjen nga qielli. Nga industria e naftës, në atë të energjisë së pastër, nga njësitë administrative te ujësjellësat dhe stacionet e pompimit, në Fier tendenca e investimit në panele diellore po rritet ndjeshëm dhe shifrat e dy viteve të fundit e konfirmojnë këtë. Nga 132 investime për sigurimin e energjisë nga dielli vitin e kaluar, numri i subjekteve që investuan në këtë sektor në 2026-ën, sipas të dhënave zyrtare të filialit të OSHEE në Fier, ka shkuar në 188. Një rritje prej 56 investimesh që shënon afërsisht gjysmën e totalit të një viti më parë.
Mes subjekteve që zgjedhin energjinë diellore, numri më i madh janë biznese dhe institucione buxhetore dhe jobuxhetore, por edhe familjet që konsumojnë sasi të lartë energjie elektrike po zgjedhin ta marrin atë, falas, nga dielli.
Teksa shumica e subjekteve investojnë duke shfrytëzuar diellin, një gjetje e Bashkisë së Roskovecit që e kombinon këtë me pasuritë ujore, synon të zgjidhë problemin e vaditjes së tokave bujqësore gjatë verës. Katër stacione pompimi shfrytëzojnë energjinë diellore për të furnizuar sistemin vaditës, kurse një tjetër merr ujin nga lumi Seman për të mbushur rezervuarin e Kurjanit.
Duke shfrytëzuar ditët e shumta me diell, investimet në energjinë e rinovueshme po shihen si një zgjidhje me leverdi ekonomike, teksa përgjatë ditëve me shi, energjia e depozituar në rrjet u kthehet mbrapsht subjekteve.
Nga 188 subjekte që investuan këtë vit në rajonin e Fierit për të siguruar nevojat e veta me energji elektrike, 103 janë biznese, 9 institucione dhe 20 abonentë familjarë. Ndërkohë, parqet fotovoltaike sigurojnë energji që mbulon afërsisht 30% të energjisë elektrike në rang vendi.
360grade.al



















