“Prania Besnike”, Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit politikë në Kryeministri
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të premte, në orën 08:00, në Kryeministri ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve.
Në fokus të takimit mësohet se është “Prania Besnike”, nisma e Partisë Socialiste që synon forcimin e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët. Përmes saj, përfaqësuesit politikë dhe deputetët duhet të zhvillojnë takime të rregullta me qytetarët, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe t’i përcjellin ato pranë institucioneve përgjegjëse.
Kjo mbledhje vjen pas Asamblesë Kombëtare të PS-së, të zhvilluar më 14 nëntor, ku socialistët deklaruan nisjen e përgatitjeve elektorale për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, Rama pritet të mbledhë sërish nesër Asamblenë Socialiste të Tiranës. Sipas gazetares së Vizion Plus, Mola Luku, takimi do të zhvillohet në orën 11:00, në ambientet e Xibrakut.
Mbledhja pritet të vijë me ndryshime në drejtimin e strukturave socialiste në kryeqytet. Ervin Demo dhe Albana Koçiu do të jenë në cilësinë e bashkëkryetarëve, ndërsa Elisa Spiropali nuk do të jetë pjesë e forumeve drejtuese, pas shkarkimit të saj një javë më parë.
Takimi i nesërm zhvillohet në kuadër të organizimit të strukturave të PS-së në Tiranë dhe përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit 2027.



