Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në qendër të Orikumit, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën 62-vjeçari Xhevair Xhelili, i cili udhëtonte në njërin prej automjeteve.

Nga përplasja raportohet gjithashtu për 3 persona të plagosur. Mësohet se në automjetin tjetër udhëtonin disa punëtorë të huaj, të cilët po shkonin drejt zonës bregdetare të Vlorës për të punuar.

Të plagosurit janë transportuar në ambientet e Spitalit të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i 62-vjeçarit është dërguar në morgun e spitalit.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të këtij aksidenti tragjik.

Njoftimi i policise

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 07:20, në aksin rrugor “Orikum-Llogara”, në Fushë Dukat, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin Xh. Xh., rreth 62 vjeç, dyshohet se është përplasur me automjetin tip “Renault”, me drejtues shtetasin M. H., 36 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje, shtetasi Xh. Xh.

Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i automjetit “Renault”, shtetasi egjiptian M. H., dhe pasagjeri, shtetasi M. N., rreth 40 vjeç, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Top Channel