Aktualitet Food & Drink Sociale

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën 5 herë më shumë se në BE në tetor!

Në një vend si Shqipëria me nivelin më të lartë të varfërisë në Europë, ushqimet bazë po kthehen në mall luksi për shkak të rritjes se çmimeve me ritme shume më të larta se Rajoni dhe Europa.

Sipas të dhënave të Eurostat-it çmimet e ushqimeve në Shqipëri pësuan rritje vjetore me 4.4% në tetor 2026, ritmi më i lartë pas Turqisë që është në krizë të pazakonte inflacioni dhe Qipros, vend ishullor me kosto furnizimi.

Në Bashkimin Europian, çmimet e ushqimeve në të njëjtin muaj u rritën me 0,8%, rreth një e pesta e ritmit në Shqipëri.

Shqipëria kryesoi në shtrenjtimin e çmimeve edhe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi ishte më pranë, me një rritje 3,9%, i ndjekur nga Kosova me 3,1, Maqedonia e Veriut me 2,0% dhe Serbia me 1,5. Të pesë vendet shënuan rritje mbi mesataren e BE-së.

Brenda BE-së, pas Qipros, rritjen më të lartë e shënuan Italia me 2,9%, Rumania me 2,7 dhe Finlanda me 2,6%. Në 11 nga 27 vendet anëtare, ushqimet dhe pijet joalkoolike kushtuan më pak se një vit më parë. Uljet më të forta u regjistruan në Suedi, me 6,6%, në Letoni me 5,3% dhe në Çeki me 4,3%.

Të dhënat më të detajuara për Shqipërinë tregojnë se peshku dhe produktet e tjera të detit u shtrenjtuan me 9,9%, ndërsa perimet, zhardhokët e bishtajoret me 9,4%. Të dy grupet shënuan rritje mbi dy herë më shumë se rritja e përgjithshme e çmimeve të ushqimeve. Mishi u shtrenjtua me 4,6%, vajrat dhe yndyrnat me 4,2 dhe frutat me 3,7%.

Rritja ishte më e moderuar te bulmeti dhe vezët, me 2,5%, dhe te drithërat e produktet e tyre, me 0,9%. Në tetor 2026, rritjet më të forta u përqendruan te peshku dhe perimet. Për familjet shqiptare, shtrenjtimi i perimeve prek zërin më të madh të faturës ushqimore.

Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes të INSTAT-it, perimet përbënin rreth një të pestën e shpenzimeve për ushqime dhe pije joalkoolike në vitin 2025. I gjithë grupi ushqimeve dhe pijeve zinte 39,8% të buxhetit mujor të konsumit.

Presioni nga perimet ishte i dukshëm përpara tetorit. Sipas Bankës së Shqipërisë, kontributi i tyre në inflacionin e përgjithshëm u rrit nga 0,2 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë në 0,5 pikë në të tretin e këtij viti. Prodhimi bujqësor vendas ndërkohë ishte tkurrur me 2,3% në tremujorin e dytë.

Në dhjetë muajt e këtij viti, Shqipëria importoi 142,3 miliardë lekë ushqime, pije dhe duhan, gati trefishin e vlerës së eksporteve të këtij grupi.

Në tregjet ndërkombëtare, indeksi i çmimeve të ushqimeve i FAO-s ishte 5,9% mbi nivelin e një viti më parë. Teksa qeveria shqiptare po përgatit si kundër masë uljen e TVSH-së për nga 20 % në 6% për produktet e shportës pritet një zbutje së paku i ritmeve të rritjes duke nisur nga janari i vitit që vjen. /Monitor

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.