Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet ruse dëmtojnë ambasadat e Austrisë dhe Holandës në Kiev



Sulmet ruse ndaj Kievit kanë shkaktuar dëme edhe në ambasadat e Austrisë dhe Holandës. Nga shpërthimet janë thyer xhamat e godinave dhe janë dëmtuar automjete, ndërsa stafi diplomatik nuk ka pësuar lëndime, përcjell Euronews.

Sulmet u regjistruan të enjten, më 19 nëntor. Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia lëshoi raketa kundër anijeve dhe 98 dronë në drejtim të vendit. Goditje u raportuan në 18 zona, ndërsa në kryeqytet u dëmtuan edhe disa objekte diplomatike dhe monumente historike.

Zëvendësshefi i misionit austriak, Daniel Ruethlin, tha se shpërthimi ndodhi gjatë orarit zyrtar, kur në ambasadë ndodheshin rreth 10 punonjës. Asnjë prej tyre nuk u lëndua.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm holandez, Tom Berendsen, konfirmoi se ambasada e vendit të tij u godit nga një predhë. Edhe në këtë rast nuk pati persona të lënduar.

Sulmi ndaj ambasadës holandeze ndodhi dy ditë pasi prodhuesi holandez i armëve Destinus njoftoi se Ukraina kishte përdorur armatimin e tij në sulmet e fundit ndaj Urës së Krimesë. Ambasada ruse në Holandë kishte akuzuar më pas Hagën për përfshirje të drejtpërdrejtë në luftë. Megjithatë, nuk është paraqitur asnjë provë që të lidhë goditjen e ambasadës me këtë njoftim.