Pas 13 vitesh pritje, videoloja e shumëpritur Grand Theft Auto 6 (GTA 6) ka shënuar një nisje spektakolare, duke u renditur si një prej lançimeve më të mëdha në historinë e industrisë së argëtimit.
Sipas vlerësimeve të platformës analitike Sensor Tower, GTA 6 ka shitur më shumë se 24.5 milionë kopje përmes porosive paraprake dhe shitjeve në ditën e parë, duke gjeneruar rreth 2.36 miliardë dollarë të ardhura.
Këto shifra tregojnë interesin e jashtëzakonshëm të publikut për lojën e re të kompanisë Rockstar. Për të kuptuar përmasat e suksesit, filmi me të ardhurat më të larta në kinema këtë vit, Spider-Man: Brand New Day, ka arkëtuar rreth 2.5 miliardë dollarë gjatë gjithë periudhës së shfaqjes.
Rockstar dhe kompania mëmë Take-Two nuk kanë publikuar ende shifra zyrtare për shitjet, por e kanë cilësuar kërkesën për lojën si të paprecedentë.
GTA 6 është pjesa më e re e një prej serive më të famshme të videolojërave në botë, e cila prej gati 30 vitesh tërheq miliona lojtarë. Në këtë version, ngjarjet zhvillohen në Leonida, një shtet imagjinar i frymëzuar nga Florida, ndërsa historia ndjek dy personazhet kryesorë, Lucia dhe partnerin e saj Jason, të cilët përfshihen në botën e krimit.
Sipas vlerësimeve, zhvillimi i lojës ka kushtuar më shumë se 1 miliard dollarë, duke e bërë atë videolojën më të shtrenjtë të realizuar ndonjëherë.
Interesi për GTA 6 është aq i madh sa Sensor Tower parashikon se suksesi i saj do të ndikojë edhe te lojërat e tjera. Sipas kompanisë, lojtarët mund të shpenzojnë deri në 10% më pak kohë në videolojëra të tjera me një lojtar, për shkak të kohës që do t’i kushtojnë GTA 6.
Të dhënat e Sensor Tower tregojnë gjithashtu se rreth 75% e shitjeve janë realizuar përmes PlayStation 5, ndërsa pjesa tjetër përmes konsolës Xbox.
Ndërkohë, kompania kërkimore Niko Partners parashikon që GTA 6 të gjenerojë më shumë se 3 miliardë dollarë të ardhura nga shitjet në mbarë botën vetëm gjatë këtij viti.
Suksesi i lojës pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Rockstar ende nuk ka bërë të ditur se kur GTA 6 do të jetë e disponueshme për kompjuterët personalë (PC), ndërsa nuk ka njoftuar as datën e publikimit të versionit online, ku lojtarët do të mund të luajnë dhe të kryejnë misione së bashku përmes internetit.
Përvoja e GTA 5, e publikuar në vitin 2013, tregon se versioni online mund të sjellë të ardhura të konsiderueshme për kompaninë. Në këtë mënyrë, lojtarët mund të shpenzojnë para reale për të blerë prona, makina dhe elemente të tjera brenda lojës.
Pritja e gjatë dhe shtyrjet e njëpasnjëshme të publikimit kanë shtuar edhe më shumë interesin për këtë titull. Disa kritikë e kanë cilësuar GTA 6 si një nga përvojat më mbresëlënëse në historinë e videolojërave, ndërsa portali i njohur IGN e ka përshkruar si një kryevepër.
Publikimi i saj në mesnatë bëri që shumë fansa të qëndronin zgjuar gjatë gjithë natës për ta luajtur, ndërsa disa të tjerë morën edhe një ditë pushim nga puna për t’iu kushtuar lojës.
Interesi i madh u reflektua edhe në trafikun e internetit. Kompania Virgin Media O2 raportoi se publikimi i GTA 6 theu rekordin e saj të trafikut në orët e mbrëmjes, pasi përdorues të shumtë nisën të shkarkonin lojën, e cila zë plot 212 GB hapësirë në konsolat e tyre.
Megjithatë, loja nuk do të jetë e disponueshme pa kufizime në të gjitha tregjet. Përmbajtja e saj ka sjellë masa censurimi në Japoni, ndërsa GTA 6, njësoj si versionet e mëparshme të serisë, nuk është miratuar për shitje në Kinën kontinentale.

