Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, ku ka bërë të ditur shifrat e larta të pasagjerëve që kanë udhëtuar gjatë ditëve të para të nëntorit.
Sipas Ramës, vetëm në 10 ditët e para të këtij muaji, në aeroport kanë udhëtuar 300 mijë pasagjerë, duke shënuar një tjetër shifër rekord.
Kreu i qeverisë bëri të ditur gjithashtu se vijojnë punimet për zgjerimin e aeroportit, me qëllim përballimin e një fluksi edhe më të madh udhëtarësh në të ardhmen.
Punimet po zhvillohen gjatë natës dhe, sipas Ramës, pritet të përfundojnë më 27 nëntor.
“Mirëmëngjesi dhe me shifrat rekord të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ku vetëm në 10 ditët e para të nëntorit kanë fluturuar 300 mijë pasagjerë, ndërkohë që punimet për zgjerimin e aeroportit, për të pritur një fluks edhe më të madh udhëtarësh, vijojnë gjatë natës dhe pritet të përfundojnë më 27 nëntor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kreu i qeverisë.

