Me ardhjen e stinës së ftohtë dhe shkurtimin e ditëve, tema e vitaminës D dhe ndikimit të saj në shëndet bëhet sërish aktuale. Nutricionistja Katie Sanders nga Doctify shpjegon se kjo vitaminë ndihmon trupin të përthithë kalciumin dhe fosforin, çka e bën të domosdoshme për kockat dhe muskujt.
Sipas saj, vitamina D luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në funksionimin e sistemit imunitar, siç citon The Independent.
Të lidhura
None found
Sanders thotë se në pranverë dhe verë trupi ynë zakonisht arrin të prodhojë mjaftueshëm vitaminë D, nëse kalojmë rregullisht kohë në ambient të hapur. Megjithatë, për shkak se gjatë dimrit ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë dhe dritës së diellit është më i vogël, nivelet e kësaj vitamine në organizëm kanë prirje të ulen.
Informacionet e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor Britanik (NHS) tregojnë se mungesa e këtij lëndë ushqyese mund të shkaktojë deformime të eshtrave, si rakitizmi tek fëmijët, si dhe dhimbje kockash nga osteomalacia tek të rriturit.
Shumë ushqime prezantohen si burime të pasura të vitaminës D, por a mund të mjaftojë vetëm dieta gjatë muajve më të errët? Sanders shpjegon se çfarë duhet të presim realisht.
Sa vitaminë D na duhet çdo ditë?
Rekomandimi zyrtar i NHS për fëmijët mbi një vjeç dhe për të rriturit është 10 mikrogramë vitaminë D në ditë, thekson Sanders. Ky udhëzim përfshin edhe gratë shtatzëna, nënat që ushqejnë me gji dhe personat që janë në rrezik për mungesë të vitaminës D. Për foshnjat nën një vjeç, sasia e rekomanduar është tetë e gjysmë deri në 10 mikrogramë.
Cilat ushqime përmbajnë vitaminë D?
Ndër burimet natyrore më të pasura të vitaminës D është filetoja e salmonit. Sipas Fondacionit Britanik të Zemrës, 100 gramë salmon i zier në avull përmban rreth 9.3 mikrogramë. Sanders vëren se ngrënia e peshkut me vaj disa herë në javë është e dobishme për shëndetin e zemrës.
Një tjetër peshk me vaj që rekomandon Sanders është skumbri. Të dhënat e Fondacionit Britanik të Zemrës tregojnë se 100 gramë skumbri i pjekur në skarë përmban mesatarisht 8.5 mikrogramë vitaminë D. Skumbri i konservuar paraqitet si një alternativë e mirë dhe më e lirë. Për një vakt të ekuilibruar, Sanders sugjeron që pjata të ndahet në tre pjesë.







