Federata e Futbollit e Kosovës është ndëshkuar nga UEFA pas incidenteve të regjistruara gjatë ndeshjes kundër Izraelit, e zhvilluar më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Organi disiplinor i UEFA-s ka vendosur një gjobë totale prej 42 mijë e 250 eurosh ndaj federatës kosovare, duke evidentuar katër shkelje gjatë kësaj përballjeje, e cila përfundoi në barazim pa gola, 0-0.
Pjesa më e madhe e gjobës, konkretisht 20 mijë euro, është vendosur për shfaqjen e një mesazhi të konsideruar të papërshtatshëm për një aktivitet sportiv. Ndërkohë, 10 mijë euro të tjera janë për sjellje raciste ose diskriminuese, ndërsa e njëjta shumë është shqiptuar për incidentet gjatë intonimit të himnit kombëtar të Izraelit.
Për hedhjen e sendeve në fushën e lojës, FFK-ja është gjobitur me 2.250 euro.
Përveç penalitetit financiar, UEFA ka vendosur edhe mbylljen e pjesshme të stadiumit “Fadil Vokrri” për ndeshjen e ardhshme që Kosova do të luajë në shtëpi në një kompeticion të organizuar prej saj. Masa parashikon mbylljen e sektorit L2 ose të një sektori me përmasa të ngjashme.
Megjithatë, ky dënim është pezulluar për një periudhë prove prej dy vjetësh. Kjo do të thotë se mbyllja nuk do të zbatohet menjëherë, por mund të hyjë në fuqi në rast se përsëriten shkelje të ngjashme gjatë kësaj periudhe.












