Një operacion i fshehtë i sigurisë kibernetike është zhvilluar në Britaninë e Madhe për të mbrojtur dhjetëra mijëra frigoriferë dhe ngrirës në supermarkete, restorante, magazina, pika karburanti dhe stadiume nga sulmet e mundshme të hakerave.
Lajmi është bërë i ditur nga BBC, e cila raporton se ekspertët zbuluan një dobësi serioze në sistemet që kontrollojnë temperaturën e pajisjeve frigoriferike. Nëse kjo dobësi do të shfrytëzohej nga hakerat, pasojat mund të ishin të mëdha, duke shkaktuar prishjen e sasive të mëdha të ushqimeve dhe dëme financiare prej miliona paundësh.
Alarmi u ngrit në fund të muajit tetor, kur ekspertët e sigurisë kibernetike zbuluan problemin në sistemet e përdorura gjerësisht nga bizneset britanike. Pas këtij zbulimi, në aksion u përfshinë specialistë të IT-së dhe autoritetet britanike, përfshirë Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike.
Për të shmangur çdo rrezik, mijëra pajisje që kontrollonin sistemet frigoriferike u shkëputën nga interneti. Në disa raste, punonjësve iu kërkua të hiqnin fizikisht kabllot e internetit dhe të kontrollonin temperaturat e frigoriferëve në mënyrë manuale.
Sipas BBC-së, disa prej supermarketeve më të mëdha në vend angazhuan ekipet e tyre të teknologjisë për të përballuar situatën. Një punonjës i një prej zinxhirëve të mëdhenj tregtarë tregoi se gjatë një jave u shkëputën çdo ditë nga interneti qindra pajisje.
Ai tha se situata ishte një garë me kohën, pasi ekzistonte frika se mund të ndodhte një tjetër valë sulmesh. Sipas tij, një sulm i suksesshëm mund të shkaktonte ndërprerje të aktivitetit të bizneseve dhe probleme në furnizimin me produkte, ndërsa vetëm në magazinat e kompanisë ruheshin ushqime me vlerë miliona paundësh.
Shqetësimi në Britani u rrit pas disa sulmeve të ngjashme në Evropë. Gjatë muajit gusht u prekën frigoriferët në disa baza ushtarake amerikane, ndërsa më 11 dhe 12 tetor qindra supermarkete dhe fabrika të përpunimit të ushqimit në Francë u goditën nga sulme ndaj sistemeve të kontrollit të temperaturës. Në fillim të nëntorit, sulme të tjera prekën supermarkete në shtatë vende evropiane, ku Belgjika dhe Luksemburgu u regjistruan si vendet më të prekura.
Franca ka fajësuar Iranin për njërën prej valëve të sulmeve, por Teherani i ka mohuar këto akuza.
Pas këtyre ngjarjeve, ekspertët britanikë kontrolluan edhe sistemet frigoriferike të prodhuara nga kompania vendase Resource Data Management (RDM), të cilat përdoren gjerësisht në vend. Ata zbuluan probleme të sigurisë që mund të shfrytëzoheshin nga persona të paautorizuar.
Paralajmërimet nuk iu drejtuan vetëm supermarketeve, por edhe restoranteve, pikave të karburantit, hoteleve, fabrikave të përpunimit të ushqimit dhe magazinave frigoriferike.
Nga ana tjetër, kompania RDM ka kundërshtuar pretendimet se dobësitë e zbuluara përbënin një rrezik kritik, duke argumentuar se për të ndërhyrë në sistemet e saj do të ishte e nevojshme të sigurohej fizikisht një pjesë e pajisjeve. Megjithatë, ekspertët kanë theksuar se këto pajisje mund të blihen lehtësisht edhe në internet.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Ged Evans, deklaroi se RDM kishte marrë menjëherë masa për të zgjidhur problemin, duke shpërndarë përditësimet e para të sigurisë dhe duke njoftuar klientët për hapat që duhej të ndiqnin.
Kompania konfirmoi gjithashtu se deri më tani nuk kishte konstatuar asnjë shenjë të aktivitetit keqdashës në sistemet e saj dhe se vijonte bashkëpunimin me autoritetet britanike për të monitoruar situatën.

