Kryeministri australian, Anthony Albanese, dhe presidenti kinez, Xi Jinping, zhvilluan bisedime të premten, në kuadër të samitit të Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që po mbahet në Shenzhen të Kinës.
Pas takimit, Xi e cilësoi përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve si një “kthesë gjithëpërfshirëse”, ndërsa Albanese deklaroi se Australia po angazhohet në mënyrë konstruktive me Pekinin.
“Besoj se është e drejtë të thuhet se së bashku kemi sjellë një kthesë gjithëpërfshirëse në marrëdhëniet Kinë-Australi”, u shpreh presidenti kinez, duke kujtuar se që prej ardhjes së Albanese në krye të qeverisë australiane në vitin 2022, të dy liderët janë takuar katër herë.
Xi bëri thirrje gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit në fushat e bujqësisë, energjisë, ekonomisë së gjelbër dhe inteligjencës artificiale, raportoi agjencia shtetërore kineze e lajmeve, Xinhua, cituar nga DW.
Kina është partneri kryesor tregtar i Australisë. Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan ndjeshëm gjatë qeverisjes së mëparshme konservatore në Canberra, pasi Australia kërkoi një hetim të pavarur për origjinën e pandemisë së koronavirusit. Në përgjigje, Kina vendosi kufizime ndaj importeve australiane të drurit, qymyrit, elbit, karavidheve dhe verës, me vlerë rreth 13 miliardë dollarë.
Pas ardhjes në pushtet të Partisë Laburiste të Albanese, Pekini hoqi shumicën e kufizimeve ndaj eksporteve australiane. Megjithatë, tensionet kanë vijuar për çështje të ndryshme, përfshirë testimin e një rakete kineze në Paqësorin Jugor dhe kontrollet australiane mbi investimet e huaja në sektorin e mineraleve kritike.
“Është e rëndësishme që Australia të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive me Kinën, të menaxhojë dallimet mes nesh, por të mos përcaktohet prej tyre”, deklaroi Albanese, duke shtuar se zhvillimet në Kinë kanë rëndësi për Australinë.
Kryeministri australian pritet të udhëtojë gjithashtu drejt Pekinit, ku do të takohet me kryeministrin kinez Li Qiang. Në axhendë është edhe një takim me përfaqësues të kompanive të mëdha minerare australiane, përfshirë Rio Tinto dhe BHP, si dhe drejtues të kompanive kineze.
Një nga çështjet e diskutimit pritet të jetë tregtia e mineralit të hekurit. Australia, prodhuesja më e madhe në botë e këtij minerali, ka kritikuar atë që e cilëson si “manipulim” të tregtisë nga Kina, pas krijimit të një strukture qendrore blerjeje që do të negociojë në emër të kompanive kineze të çelikut.