Një nga sulmet më të mëdha ruse që prej nisjes së luftës, 100 raketa dhe 400 dronë godasin Ukrainën, tre ura në Kiev jashtë funksionit Një ekzekutim me injeksion vdekjeprurës në Teksas ka përfunduar në një proces të gjatë dhe të dhimbshëm për një të dënuar 70-vjeçar, i cili kaloi më shumë se një orë në shtratin e ekzekutimit përpara se të shpallej i vdekur.
Reynaldo Denes u ekzekutua të premten në burgun e Huntsville, por procedura u shoqërua me probleme që në momentet e para. Sipas Associated Press, personeli i burgut hasi vështirësi për të gjetur vena të përshtatshme ku mund të vendoseshin dy linjat intravenoze për administrimin e pentobarbitalit, substancës që përdoret për ekzekutimin me injeksion.
Gjatë procedurës, 70-vjeçari rënkonte, bërtiste nga dhimbjet dhe i lutej Zotit që t’ia lehtësonte vuajtjet. Ai u ankua vazhdimisht, ndërsa ekzekutimi përfundoi vetëm 63 minuta pasi ishte lidhur në shtratin e ekzekutimit.
“Hiqma dhimbjen”, lutjet e fundit të 70-vjeçarit
Sipas dëshmive për atë që ndodhi në dhomën e ekzekutimit, Denes fillimisht u shpreh se dëshironte që njerëzit e tij të afërt ta dinin se 30 vitet e fundit të jetës i kishte konsideruar si një bekim, pasi kishte njohur dashurinë e Zotit.
Më pas, ai iu drejtua drejtorit të burgut duke i thënë të vazhdonte procedurën. Por, pothuajse menjëherë pas fillimit të saj, 70-vjeçari nisi të bërtiste nga dhimbjet.
Reinaldo Dennes, 70, was executed at 7:08 p.m. Central Standard Time Thursday evening for the deadly shooting of wholesale diamond dealer Janos Szucs in what was previously known as the Greenrich Building on Richmond Avenue. https://t.co/kI7hFf42xe https://t.co/9lhRuHnS1g
— FOX 4 NEWS (@FOX4) November 20, 2026
“Dhimbja! Vazhdo! Vazhdo!”, dëgjohej të thoshte, ndërsa më pas iu lut vazhdimisht Zotit që t’ia largonte vuajtjet.
“Më lër të shkoj, Baba”, përsëriti ai disa herë, duke kërkuar që të mos lihej të vuante në atë gjendje.
Në një moment, Denes u ankua edhe për dhimbje të forta në këmbën e djathtë, të cilën e përshkroi si një ngërç. “Nuk mendoj se kjo është normale. Më merr, Atë. Mos më lër të vuaj kështu”, ishin disa prej fjalëve të tij të fundit.
Sipas raportimit, më pas ai nisi të lëshonte rënkime dhe tinguj të ngjashëm me gërhitjen, të cilët gradualisht u dobësuan. Frymëmarrja e tij u bë gjithnjë e më e ngadaltë, derisa procedura përfundoi.
Denes u shpall i vdekur në orën 19:08, një minutë pasi u ekzaminua nga mjeku, plot 63 minuta pas lidhjes në shtratin e ekzekutimit.
Zyrtarët e burgut këmbëngulën se ekzekutimi u krye sipas protokolleve të përcaktuara nga shteti.
Zëdhënësja e burgut, Amanda Hernandez, konfirmoi se ekipi kishte hasur disa vështirësi në gjetjen e venave të përshtatshme. Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme, gjilpërat intravenoze u vendosën në këmbën e majtë dhe në anën e majtë të qafës së të dënuarit.
Hernandez nuk specifikoi numrin e përpjekjeve të dështuara, por theksoi se vendet ku u vendosën përfundimisht linjat intravenoze ishin në përputhje me rregullat shtetërore.
Ajo ngriti gjithashtu dyshime mbi ankesat e Denes për dhimbje, duke pretenduar se ai kishte nisur të ankohej edhe përpara administrimit të substancës dhe kishte raportuar dhimbje në zona ku nuk ishte vendosur asnjë linjë intravenoze.
E pyetur nëse i dënuari mund të kishte ekzagjeruar vuajtjet, Hernandez u shpreh se nga këndvështrimi i autoriteteve nuk kishte ndodhur asgjë e pazakontë dhe se raste të tilla ishin hasur edhe më parë.
Vrasja për të cilën u dënua Denes
Reynaldo Denes ishte dënuar për vrasjen e tregtarit të diamanteve Janos Schutz, i cili u gjet i qëlluar disa herë në zyrën e tij në Hjuston, në janar të vitit 1996.
Ngjarja kishte ndodhur gjatë një grabitjeje, ndërsa Denes u shpall fajtor për vrasje të paqëllimshme.
Ekzekutimi i tij ka rikthyer vëmendjen te problemet që mund të shoqërojnë përdorimin e injeksioneve vdekjeprurëse në burgjet amerikane.
Rasti vjen gjithashtu pas atij të Krista Pike, së cilës më 1 tetor iu administruan dy doza pentobarbitali, por ajo nuk vdiq dhe përfundoi në gjendje kome. Avokatët e saj pretenduan se substanca nuk kishte hyrë siç duhet në qarkullimin e gjakut, por ishte përqendruar në duart e saj, duke shkaktuar djegie dhe flluska në lëkurë.
Top Channel