Policia në Gjilan shqipton 1 mijë e 521 gjoba për një javë, 22 aksidente me dëme materiale dhe të lënduar
Policia e Kosovës në Gjilan ka shqiptuar 1 mijë e 521 gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë periudhës 13-19 nëntor 2026.
Sipas komunikatës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, gjatë kësaj periudhe janë hetuar gjithsej 22 aksidente trafiku, prej të cilave 11 me dëme materiale dhe 11 me persona të lënduar.
Po ashtu, policia ka shqiptuar masa të ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për një periudhë të caktuar ndaj 52 ngasësve.
Gjatë aktiviteteve në trafik, janë shqiptuar edhe 36 gjoba për mosvendosjen e rripit të sigurisë dhe 24 gjoba për përdorimin e telefonit mobil gjatë vozitjes.
Në komunikatë, Policia Rajonale e Gjilanit u ka bërë thirrje ngasësve që në rastet e aksidenteve me dëme të vogla materiale të ruajnë qetësinë, të respektojnë rregullat dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
“Fotografoni vendin e ngjarjes, shkëmbeni të dhënat dhe plotësoni e nënshkruani raportin evropian të aksidenteve”, thuhet në apel.
Policia gjithashtu ka apeluar që ngasësit ta mbajnë gjithmonë me vete raportin evropian, duke kontribuar kështu për një trafik më të sigurt për të gjithë. /Telegrafi/




























