Dalja e Elisa Spiropalit në emisionin “Top Story” të Grida Dumës duhej të ishte një mundësi për të treguar se çfarë do të thotë “modernizimi i PS-së”, për të cilin ajo shkruan në rrjetet sociale. Por, përballë analistëve Robert Rakipllari dhe Arion Sulo, mesazhi politik i saj mbeti i paqartë dhe pa një program konkret. Ishte me shumë konfuze, bile me mirë të mos kishte dalë fare.
Spiropali foli për ndryshime në parti, por nuk shpjegoi si do t’i realizonte. Akuzat për pakënaqësi personale dhe për mënyrën si u largua ajo nga Belinda Balluku morën më shumë hapësirë sesa ideja për një PS ndryshe dhe një qeverisje më të mirë. Kjo e zhvendosi debatin nga e ardhmja e partisë te përplasjet e brendshme.
Edhe qëndrimet e saj për Edi Ramën tingëlluan kontradiktore. Në një moment e vlerësoi si lider që do ta çojë Shqipërinë drejt Bashkimit Europian; në një tjetër vuri në dyshim mënyrën si ai drejton Partinë Socialiste, pra ajo nuk arriti t’i lidhte me një qëndrim të qartë politik.
Në vend që të forconte imazhin e një lidereje të ardhshme, kjo dalje la përshtypjen e një politikaneje pa drejtim të qartë dhe pa platformë të artikuluar. Statuset e shkruara mirë në Facebook nuk mjaftojnë për të bindur publikun se ekziston një projekt serioz për ndryshimin e PS-së.
Në politikë, ambicia duhet shoqëruar me ide, qëndrueshmëri dhe guxim për të paraqitur alternativa. Në atë studio, Spiropali pati mundësinë të fliste për një parti dhe qeverisje më të mirë , por publiku dëgjoi kryesisht pakënaqësi, lavdërime dhe kundërthënie. Me shumë nxori mllef se sa ide, me shumë bërtiste se sa artikulonte ide, platformë, vizion.
Ka reaguar Ditmir Bushati për rrugën ku po shkon PS-ja, por ai mbetet i qartë, konsekuentë dhe i artikuluar në atë që kërkon, pavarësisht se si e mendon.
Ka folur Ben Blushi, dikur, por ai ishte vizonar, qendrestarë dhe parimorë në ato që thoshte. Dhe kur e pa se nuk ka konkurencë dhe demokraci të brendshme, foli, akuzoi dhe iku. Kurse Elisa Spiropali, siç i tha analisti Rakipllari, ti je kot në PS pasi të kanë përjashtuar.
Dhe realisht rri kot, në PS!
Më mirë të mos dilte, mbrëmë, Elisa!
