Përfaqësues të protestave kundër vendimit të Hagës kanë bërë të ditur se do të dalin sërish në shesh, në rast se projektligji i ri për Dhomat e Specializuara nuk arrin në Kuvend gjatë javës së ardhshme.
Çlirim Haziri, zëdhënës i platformës “Jo në emrin tim”, u shpreh të enjten mbrëma në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit se e sheh me sy të mirë marrëveshjen mes kryeministrit Albin Kurti dhe ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku. Sidoqoftë, ai theksoi se qytetarët kërkojnë që ky zotim të kthehet në veprime konkrete. “Nëse kjo nuk realizohet, do ta ushtrojmë të drejtën tonë për protestë”, paralajmëroi Haziri.
Të lidhura
None found
Po ashtu, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dha një mesazh të ngjashëm, duke u shqetësuar për ecurinë e çështjes së ligjit dhe duke paralajmëruar protesta nëse vonesat vijojnë.
Të enjten, Kurti dhe Çitaku ranë dakord që ligji i miratuar në tetor dhe i kthyer nga presidentja të mos hidhet sërish në votim, por të përgatitet një draft i ri. Ky projektligj, së bashku me strategjinë shtetërore për procesin e apelit, pritet të prezantohet javën e ardhshme.
Pas aktgjykimit të 16 shtatorit, me të cilin katër ish-drejtues të UÇK-së u dënuan në shkallë të parë me 81 vjet burgim gjithsej, platforma “Jo në emrin tim” zhvilloi 21 net radhazi protesta. Ato u ndërprenë në mbrëmjen kur Kuvendi miratoi ndryshimet e tetorit.






