Reshjet e shiut dhe erërat e forta gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa zona të qarkut Shkodër. Sipas raportimit të Prefekturës, situata paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme, por janë evidentuar rrëshqitje gurësh dhe dherash në disa akse rrugore, si dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Problematika më e theksuar është regjistruar në Bashkinë Malësi e Madhe. Në zonën e Dobrit, rritja e nivelit të ujit në digën e Selcës ka sjellë prurje të shumta në përrua dhe depozitim të materialeve inerte, duke bllokuar rrugën. Ndërkohë, në zonën e Gropave të Selcës janë konstatuar rrëshqitje gurësh.
Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë, është bllokuar pjesërisht edhe aksi rrugor Tamarë-Vermosh. Firma kontraktuese ndodhet në terren dhe po punon për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e plotë të qarkullimit.
Në Bashkinë Pukë, erërat e forta kanë shkaktuar thyerjen e disa pemëve në unazën e qytetit, të cilat janë larguar nga shërbimet bashkiake. Gjithashtu, janë evidentuar rënie gurësh në rrugët rurale. Ndërprerjet e energjisë elektrike të regjistruara gjatë natës janë riparuar dhe furnizimi është rikthyer.
Problematika nga rënia e gurëve dhe dherave janë raportuar edhe në Bashkinë Fushë-Arrëz, në akset rrugore të njësive administrative Fierzë, Blerim, Iballë dhe Qafë-Mali.
Ndërkohë, në Bashkinë Vau i Dejës janë evidentuar ndërprerje të energjisë elektrike në njësitë administrative Vig-Mnelë dhe Hajmel. Probleme me furnizimin janë raportuar gjithashtu në zonën e Vrakës, në Malësi të Madhe, në Zagorë dhe përgjatë një pjese të aksit Tamarë-Vermosh, si dhe në disa njësi administrative të Fushë-Arrëzit. Ekipet e OSHEE-së janë në terren për riparimin e defekteve.
Në Bashkinë Shkodër, pavarësisht reshjeve dhe erërave të forta, nuk raportohen problematika.
Sa i përket situatës hidrologjike, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 13 milimetra reshje shiu. Sipas monitorimit të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nuk janë konstatuar probleme në veprat e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet. Nivelet e ujit në lumenj, liqene dhe veprat ujore vijojnë të jenë nën kuotat e rrezikut, ndërsa hidrovoret janë funksionale dhe në gatishmëri për të punuar me kapacitet të plotë.
Prefektura e Qarkut Shkodër bën me dije se po vijon monitorimin e situatës në koordinim me strukturat e Mbrojtjes Civile dhe institucionet përgjegjëse, me fokus në normalizimin e qarkullimit në akset e prekura dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.