Mbetjet inerte, Ministria e Mjedisit propozon landfille të përkohshme: 45% e tyre të rikuperohen
Deri në krijimin dhe funksionin e plotë të trajtimit të mbetjeve në vend nëpërmjet ngritjes së landfilleve rajonale, për menaxhimin e mbetjeve inerte të sektorit të ndërtimit, Ministria e Mjedisit propozon ngritjen e landifilleve të përkohshme.
Me skemën e re të menaxhimit të mbetjeve inerte, propozohet që 45% e tyre të rikuperohen, si materiale mbushës (backfilling), materiale ndërtimi sekondare apo për qëllime të tjera. Për depozktim do të pranohen 55% e sasisë totale, kundrejt një tarife.
Projektvendimi “Për miratimin e rregullave, kërkesave dhe procedurave për venddepozitimet e përkohshme të mbetjeve inerte”, përcakton se operimi dhe administrimi i venddepozitimeve të përkohshme do të realizohet nga subjekte të autorizuara (operatorë), në përputhje me kërkesat ligjore dhe procedurat përkatëse për lejet e ndërtimit.
Ministria e Mjedisit propozon që venddepozitimet e përkohshme të mbetjeve inerte të funksionojnë për një periudhë deri në 3 vjet, me mundësi zgjatjeje vetëm një herë, për maksimumi 2 vjet të tjera, në raste të veçanta. Pas përfundimit të afatit, ndalohet pranimi i mbetjeve dhe operatori duhet të nisë menjëherë procedurat për mbylljen dhe rehabilitimin e objektit.
Vend depozitimet e përkohshme duhet të kenë sipërfaqe minimale 5,000 m² dhe të rikuperojnë të paktën 45% të mbetjeve inerte të pranuara, përmes përdorimit si material mbushës ose materiale ndërtimi sekondare. Pjesa e mbetur, deri në 55%, mund të depozitohet përfundimisht, ndërsa dorëzimi i mbetjeve do të bëhet kundrejt një tarife për ton.
Projektvenidmi përcakton se tarifa për depozitimin e mbetjeve do të propozohet nga operatori dhe më pas do të miratohet nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
Në relacionin shpjegues, Ministria e Financave ka argumentuar se venddepozitimet e përkohshme kanë karakter kalimtar dhe do të funksionojnë për një periudhë të kufizuar, deri në ndërtimin dhe vënien në punë të landfilleve rajonale. Për këtë arsye, ato nuk konsiderohen infrastruktura përfundimtare e trajtimit të mbetjeve, por një zgjidhje e përkohshme për menaxhimin e situatës ekzistuese.
Sipas ligjit nr. 57/2025, zhvillimi, koordinimi dhe administrimi i infrastrukturës së trajtimit të mbetjeve realizohet në nivel qendror përmes Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM sh.a.), e cila ka përgjegjësi për planifikimin, ndërtimin dhe operimin e rrjetit kombëtar të impianteve të trajtimit.
Edhe financimi parashikohet të mbështetet në disa burime. AKEM do të sigurojë fonde nga buxheti i shtetit, tarifat e pranimit të mbetjeve në impiante, të ardhurat nga aktiviteti dhe burime të tjera të ligjshme. Ndërkohë, kostot e menaxhimit të mbetjeve do të mbulohen në përputhje me parimin “ndotësi paguan”.
Në këto kushte, sipas relacionit, detyrimi për rikuperimin e të paktën 45% të mbetjeve nuk nënkupton që operatori publik duhet të kryejë menjëherë dhe në mënyrë të veçuar investimet e nevojshme. Përmbushja e kuotës lidhet me funksionimin gradual të një sistemi të organizuar në nivel kombëtar, në përputhje me zhvillimin e infrastrukturës dhe mekanizmave financiarë të parashikuar në legjislacion./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









