FOTO/ Flavio Islamaj braktisi makinën dhe i shpëtoi policisë, Vata u arrestua! Kush janë dy të rinjtë që u kapën me 500 pako kanabis
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj ka siguruar fotot e Flavio Islamajt, i shpallur në kërkim dhe Mariglen Vatës, i arrestuar nga Antidroga e Tiranës një ditë më parë, në kuadër të operacionit “Risia”.


Gjatë operacionit u sekuestruarn mbi 12 kilogramë kanabis në formë xhelatine.
Lënda narkotike dyshohet se kishte mbërritur me postë nga Mbretëria e Bashkuar dhe përmbante një përqindje të lartë THC. Vlera e saj në tregun e paligjshëm llogaritet në rreth 30 mijë euro.
Operacioni u organizua nga Antidroga e Tiranës pas marrjes së informacionit për transportimin e lëndës narkotike. Sipas të dhënave paraprake, Flavio Islamaj, i cili është shpallur në kërkim, ka kuptuar se po ndiqej nga efektivët e policisë në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi.
Kur ka mbërritur pranë Digës së Liqenit Artificial, ai ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap.
Ndërkohë, efektivët e policisë kanë konstatuar praninë e një automjeti tjetër, nga i cili dyshohet se po vëzhgohej lëvizja e tyre. Në këtë mjet është arrestuar Mariglen Vata, i cili dyshohet se po shoqëronte Islamajn me një automjet tjetër.
Sipas hetimeve paraprake, kanabisi në formë xhelatine kishte si destinacion qytetin e Elbasanit.
Lënda narkotike ishte fshehur në dy valixhe dhe ishte ndarë në afro 500 pako me sasi të vogla. Një pjesë e pakove përmbanin sasi më të mëdha, nga 400 deri në 500 gramë secila.
Dy të rinjtë, të njohur më parë për policinë
Mariglen Vata, i arrestuar gjatë operacionit, dhe Flavio Islamaj, i shpallur në kërkim, rezultojnë emra të njohur për policinë për shkak të precedentëve të mëparshëm në fushën e narkotikëve.
Të dy 22-vjeçarët janë shokë me njëri-tjetrin dhe, sipas dyshimeve, kanë qenë së bashku në Angli, ku mund të jenë përfshirë në aktivitetin e trafikut të drogës.
Pas kthimit në Shqipëri, ata dyshohet se kanë vijuar aktivitetin në këtë fushë.
Flavio Islamaj ka qenë në kërkim edhe në vitin 2025, pasi dyshohet se i është shmangur një operacioni policor, kur efektivët po prisnin ta arrestonin në momentin që do të tërhiqte një pako me lëndë narkotike të porositur përmes postës.
Megjithatë, mbetet e paqartë se si ai kishte shmangur më pas përgjegjësinë ligjore, pavarësisht se ishte shpallur në kërkim nga policia.
Ndërsa Mariglen Vata është arrestuar edhe në vitin 2022, po për veprën penale të lidhur me narkotikët.




