Kur Kimberly Guilfoyle dha dorëheqjen në mesin e muajit tetor, ajo hyri në histori. Me 343 ditë në detyrë, ajo ishte ambasadorja amerikane me mandatin më të shkurtër në Greqi.
Ish-prezantuesja e Fox News dhe ish-e fejuara e Donald Trump Jr. u përfol gjerësisht se kishte kërcënuar me rrëzimin e qeverisë greke dhe se i kishte kërkuar një biznesmeni amerikan një “ryshfet” prej 100 mijë dollarësh.
Por kjo nuk ishte e gjitha. Guilfoyle u akuzua gjithashtu se po promovonte interesat e një kompanie private greke të ndërtimit, të quajtur Aktor, në kuadër të projektit Vertical Gas Corridor (Korridori Vertikal i Gazit), një projekt energjetik i mbështetur nga SHBA-ja, që synon transportimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) amerikan nga Greqia drejt Evropës Qendrore dhe Juglindore, si dhe Ukrainës. Ajo i mohoi akuzat e ngritura ndaj saj.
I krijuar në vazhdën e aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga Rusia në vitin 2014, VGC-ja është një rrjet infrastrukture gazsjellësish që po zhvillohet në disa faza dhe që përfshin Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Sllovakinë, Moldavinë, Ukrainën dhe, këtë vit, edhe Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. I gjithë projekti synon të reduktojë varësinë e rajonit nga lëndët djegëse fosile ruse.
Projekti konsiderohet thelbësor për interesat e SHBA-së në Evropën Juglindore dhe është mbështetur fuqimisht nga Greqia. Dy ditë përpara dorëheqjes së Guilfoyle, ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë, Stavros Papastavrou, deklaroi se VGC-ja “e rrit rolin e Greqisë në rajon”.
Sipas ekspertëve, investimi i përgjithshëm i Greqisë për zgjerimin e VGC-së, që përfshin ndërtimin e katër terminaleve të reja të LNG-së dhe infrastrukturës përkatëse të gazsjellësve, mund të arrijë në dy miliardë euro.
Ky vlerësim mund të ndryshojë gjatë realizimit të projektit për shkak të luhatjeve të kostove, pa llogaritur ende çmimin relativisht të lartë të LNG-së amerikane dhe pasiguritë lidhur me financimin e mundshëm nga Bashkimi Evropian, i cili shprehet se infrastruktura aktuale e transmetimit të gazit natyror “është mjaftueshëm e zhvilluar”.
A janë para të shpenzuara mirë? Disa ekspertë nuk mendojnë kështu dhe i referohen të dhënave që sugjerojnë ekzistencën e alternativave më të lira.
Disa besojnë se orientimi i Greqisë drejt LNG-së amerikane ka të bëjë më shumë me përafrimin politik të Athinës me Uashingtonin sesa me ndonjë përfitim real ekonomik.
“Greqia do të paguajë”, deklaroi Sotiris Roussos, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Peloponezit, “në mënyrë që SHBA-ja të ketë blerës për gazin e saj natyror jashtëzakonisht të shtrenjtë.”
Gazi amerikan, “shumë më i shtrenjtë”


Në vitin 2021, një vit përpara pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Kremlini, Rusia vijonte të ishte furnizuesi kryesor i vetëm i Bashkimit Evropian me gaz natyror, pavarësisht përpjekjeve disavjeçare për diversifikimin e burimeve të furnizimit, të ndërmarra pas aneksimit të Krimesë.
Në atë vit, Rusia përbënte rreth 40 për qind të importeve të BE-së përmes gazsjellësve. Deri në vitin 2025, kjo shifër kishte rënë në afërsisht 6 për qind. Gjatë së njëjtës periudhë, sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja u trefishuan, duke e kthyer bllokun evropian në importuesin më të madh të LNG-së në botë. LNG-ja amerikane përbënte pothuajse 58 për qind të totalit të importeve.
Vetëm pak ditë pasi Guilfoyle mori detyrën në Athinë, në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, Greqia dhe SHBA-ja nënshkruan një sërë marrëveshjesh në fushën e energjisë.
Ndër to, kompania greke Atlantic SEE LNG Trade S.A., një sipërmarrje e përbashkët mes kompanisë Aktor dhe shoqërisë shtetërore greke të gazit, DEPA Commercial S.M.S.A., nënshkroi një marrëveshje me kompaninë amerikane të energjisë Venture Global për furnizimin me LNG në një sasi prej të paktën 500 mijë tonësh në vit, për një periudhë 20-vjeçare, duke filluar nga viti 2030. Marrëveshja parashikonte gjithashtu mundësinë e zgjerimit të angazhimit për blerje deri në rreth 1.5 milionë tonë në vit.
Zyrtarët grekë e cilësojnë bashkëpunimin për Korridorin Vertikal të Gazit (VGC) një projekt me “rëndësi kombëtare”. Megjithatë, Roussos thekson se, ndërsa Evropa po shkëputet nga varësia prej Rusisë, rrezikon të bjerë në një formë të re varësie: atë nga gazi natyror amerikan, i cili “është shumë më i shtrenjtë se çdo gaz natyror konkurrues, qoftë ai algjerian, iranian, nga Katari apo Azerbajxhani”.
Sipas Institutit për Ekonominë e Energjisë dhe Analizën Financiare, IIEFA, me seli në Ohajo të SHBA-së, Greqia “ka paguar në mënyrë të vazhdueshme çmimin më të lartë për LNG-në amerikane ndërmjet vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”.
Sipas të dhënave të këtij instituti, në vitin 2025 Greqia pagoi mesatarisht 38,7 euro për megavat-orë, një çmim 12 për qind më i lartë se mesatarja e paguar nga vendet e BE-së.
IIEFA parashikon se në vitin 2026 SHBA-ja do të bëhet furnizuesi më i madh me gaz natyror i Evropës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa “deri në vitin 2028 mund të mbulojë 80 për qind të importeve të LNG-së në BE”.
Megjithatë, mesatarisht, “LNG-ja amerikane është më e shtrenjta për blerësit evropianë”.
Në një artikull të botuar në tetor në gazetën Kathimerini, Constantinos Filis, drejtor i Institutit të Çështjeve Globale, IGA, me seli në Athinë, dhe profesor i asociuar në Kolegjin Amerikan të Greqisë, shkruante: “SHBA-ja, duke përfituar nga pamundësia e BE-së për të gjetur furnizues që mund ta zëvendësonin Rusinë për sa i përket vëllimit të furnizimit, ofroi LNG për të përmbushur nevojat e Bashkimit Evropian, me çmime më të larta, por në sasi të bollshme”.
“Për më tepër, vendimi për të shfrytëzuar Korridorin Vertikal i dha projektit shtysën e nevojshme, për të cilën kishte kohë që përpiqej, duke pasur parasysh hezitimin e autoriteteve evropiane ndaj çdo plani që nuk kontribuonte në tranzicionin e gjelbër”, shkruante Filis.
Andreas Stergiou, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Marrëdhënieve Evropiane në Departamentin e Ekonomisë të Universitetit të Thesalisë, deklaroi për BIRN/Solomon: “Synimi i SHBA-së është, së pari, të shesë energji dhe, së dyti, të kufizojë ndikimin gjeopolitik të Rusisë”.
Ose, siç u shpreh një zyrtar i kompanisë Aktor, duke folur në kushte anonimiteti: “Kush kontrollon energjinë, kontrollon botën”.
“Jokonkurrueshmëri shumë e lartë”


Zyrtari i kompanisë Aktor këmbëngulte se, për sa i përket furnizimit me gaz natyror, “nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç SHBA-së”.
Por, a qëndron kjo vërtet?
Në shtator, Green Tank, një organizatë jofitimprurëse greke që funksionon si institut kërkimor në fushën e mjedisit, publikoi një raport, sipas të cilit kostot e tranzitit të gazit drejt Ukrainës, e cila ka nevoja të konsiderueshme për gaz natyror, janë deri në 76 për qind më të ulëta kur furnizimi realizohet nga vende të tjera, si Kroacia, Gjermania, Lituania apo Polonia, krahasuar me LNG-në amerikane që transportohet përmes Greqisë.
“Arritëm në përfundimin se ne, si Greqi, jemi shumë pak konkurrues”, deklaroi Nikos Mantzaris, analist i lartë i politikave në Green Tank.
“Ekzistojnë zgjidhje më ekonomike, të cilat çdo konsumator fundor, natyrisht, do t’i preferonte”.
Sipas Green Tank, në rastin e Hungarisë, konsumatorit më të madh të gazit natyror ndër vendet e përfshira në Korridorin Vertikal të Gazit, rrugët alternative të furnizimit përmes Austrisë dhe Kroacisë janë 26 deri në 45 për qind më të lira.
Edhe Michalis Thomadakis, drejtor i Strategjisë dhe Zhvillimit në operatorin grek të sistemit të transmetimit të gazit natyror, DESFA, pranoi se ekzistojnë rrugë furnizimi më të lira.
“Nëse synojmë tregjet e Evropës Qendrore, ekzistojnë gjashtë deri në shtatë rrugë të ndryshme përmes të cilave gazi mund të transportohet drejt këtyre tregjeve nga brigjet e Evropës”, deklaroi ai në një konferencë për energjinë të organizuar në Athinë, në fillim të nëntorit, nga Instituti i Energjisë së Evropës Juglindore. Thomadakis theksoi se transportimi i gazit nga terminali i Revithoussa-s, një terminal tokësor për LNG-në, funksional që prej vitit 2000 në një ishull të vogël dhe të pabanuar në Gjirin Saronik, përbënte alternativën e “katërt më të lirë” për furnizimin e Ukrainës.
Për më tepër, vende si Hungaria, Rumania dhe Bullgaria janë në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e tyre lidhur me prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, të cilat, sipas ekspertëve, përgjithësisht janë më ekonomike sesa gazi natyror.
Pronari i kompanisë Aktor, Alexandros Exarchou, argumenton se çështja nuk lidhet vetëm me çmimin, por edhe me sigurinë e furnizimit dhe disponueshmërinë e sasive të nevojshme.
“Rreziku më i madh për vendet anëtare të Bashkimit Evropian është pamundësia për të siguruar sasi të mjaftueshme energjie”, deklaroi ai në Forumin e 16-të të Capital Link për Transportin Detar Grek, në muajin shkurt. “Marrëveshjet afatgjata janë çelësi për garantimin e furnizimit me energji dhe stabilitetit të çmimeve”.
Roussos, nga Universiteti i Peloponezit, u shpreh se të vetmet vende relativisht pranë Evropës, që zotërojnë rezerva “të krahasueshme me ato të Rusisë”, janë Irani dhe Katari.
Irani është i vetmi vend nga i cili mund të ndërtohet një gazsjellës që do të kalonte përmes Turqisë drejt Evropës, dhe kjo do të përbënte një alternativë “më të lirë”. Megjithatë, Irani ndodhet aktualisht në luftë me SHBA-në.
Kush do ta paguajë faturën?


Aktualisht, në Greqi funksionojnë dy terminale për importimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG): Revithoussa dhe një njësi lundruese për magazinimin dhe rigazifikimin e LNG-së (FSRU) në Aleksandrupoli, e cila ka hyrë në funksion që nga fundi i vitit 2024.
Që prej vitit 2019, planet e Greqisë kanë përfshirë ndërtimin e tri njësive të tjera lundruese për magazinimin dhe rigazifikimin e LNG-së (FSRU), në Korinth, Volos dhe Selanik. Gjithashtu, është planifikuar edhe një njësi tjetër në Traki, e cila do të funksionojë në mënyrë plotësuese me terminalin e Aleksandrupolit.
Në deklaratat e tij në muajin shkurt, Exarchou parashikoi se kërkesa për gaz përgjatë Korridorit Vertikal do të arrinte në 15 miliardë metra kub në vit deri në vitin 2027. Ndërsa në një intervistë të dhënë muajin e kaluar, ai deklaroi se Greqia aktualisht ka kapacitetin të transportojë deri në 4,5 miliardë metra kub gaz në vit.
Kontrolli mbi të katër terminalet do të jetë në duart e grupeve të fuqishme të biznesit grek:
- Dioriga Gas FSRU në Korinth: Projekti po zhvillohet nga Motor Oil, kompani në pronësi të familjes me ndikim Vardinogiannis. Edhe kompania Aktor është në bisedime për t’u përfshirë në këtë projekt.
- Argos FSRU në Volos: Është në pronësi të familjes Dragnis, e njohur për aktivitetin e saj në sektorin e transportit detar.
- FSRU në Selanik, nga Elpedison: Kompania kontrollohet 100 për qind nga HELLENiQ ENERGY, e njohur më parë si Hellenic Petroleum.
- Investimi për terminalin e ri FSRU në Traki: Projekti i përket Gastrade SA, një sipërmarrje e përbashkët e krijuar nga pesë ortakë me pjesëmarrje të barabartë, ndër të cilët edhe Grupi Copelouzos, me interesa në sektorët e energjisë, infrastrukturës dhe pasurive të paluajtshme.
Mantzaris, nga organizata Green Tank, deklaroi se, sipas vlerësimeve konservatore, ndërtimi i katër terminaleve do të kushtojë mbi një miliard euro. Kjo shifër nuk përfshin ende kostot e zgjerimit të gazsjellësve, përmirësimit të infrastrukturës dhe elementeve të tjera, të cilat mund ta çojnë investimin total në dy miliardë euro. Nga ana tjetër, analiza e vetë BIRN, bazuar në shifrat e kostove të publikuara në raportimet mediatike, sugjeron se fatura totale vetëm për ndërtimin e terminaleve mund të kalojë 1,5 miliardë euro.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur se në çfarë mase projektet do të financohen nga shteti dhe/ose nga Bashkimi Evropian. Në mungesë të këtyre subvencioneve, ekspertët shprehin skepticizëm lidhur me qëndrueshmërinë e tyre ekonomike në planin afatgjatë.
Sipas një analize të Greenpeace Greqi, terminali i Aleksandrupolit u ndërtua me mbështetjen e rreth 274 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian. Ndërsa kostoja totale e investimit, sipas Dimitris Copelouzos, drejtuesit të Grupit Copelouzos, arriti në 490 milionë euro.
Një ndërhyrje e mëparshme për modernizimin e terminalit të Revithoussa-s, e realizuar në vitet 2007 dhe 2018, kushtoi rreth 91 milionë euro, nga të cilat afro 32 milionë euro u financuan nga fondet e Bashkimit Evropian.
Sipas Copelouzos, terminali i ri në Traki, i cili në thelb përbën një zgjerim të kapaciteteve të terminalit të Aleksandrupolit, do të kushtojë 650 milionë euro. Megjithatë, duket pak e mundshme që ky projekt të përfitojë financim evropian, duke qenë se Bashkimi Evropian nuk i konsideron më projektet e lidhura me gazin fosil si të pranueshme për financim, ndërsa Banka Evropiane e Investimeve nuk jep më kredi për projekte të kësaj natyre.
Kostis Sifnaios, drejtori ekzekutiv i Gastrade, kompanisë që kontrollon projektin, ka deklaruar se për investimin në Traki po kërkojnë “marrëveshje afatgjata për rezervimin e kapaciteteve”, pasi “qëndrueshmëria ekonomike e projektit varet nga ekzistenca e kontratave afatgjata”.
Gjatë një takimi me gazetarët në dhjetor të vitit 2025, Copelouzos deklaroi: “E dimë se FSRU-ja e dytë do të jetë një projekt me rendiment të ulët”.
“Kushdo që ndërton FSRU-në e dytë do t’i bëjë një shërbim të madh vendit. Nëse dikush ndërton një të tretë, do të jetë një bamirës i falimentuar”, u shpreh ai.
Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në Korinth. Sipas kompanisë Motor Oil, e cila po zhvillon projektin, qëndrueshmëria ekonomike dhe konkurrueshmëria e kësaj njësie janë të pamundura pa “ndihmën e shtetit”.
Roussos deklaroi për BIRN/Solomon: “Në Greqi, kompanitë janë mësuar të mos paguajnë për asgjë”.
“Kapitali real që investojnë vetë kompanitë është jashtëzakonisht i vogël. Ky nuk është një fenomen që haset vetëm në Greqi, por atje ka marrë përmasa vërtet të tepruara”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Filis shkruante në artikullin e tij: “Paqëndrueshmëria e tregut të energjisë përforcon domosdoshmërinë strategjike të Korridorit Vertikal, por, në të njëjtën kohë, pengon qëndrueshmërinë e tij tregtare”.
Financimi mbetet i paqartë


Ende nuk dihet me saktësi sa do të kushtojë zgjerimi i Korridorit Vertikal të Gazit dhe si do të financohet ai. Megjithatë, projektet e infrastrukturës kanë prirjen që, gjatë zbatimit, të tejkalojnë ndjeshëm buxhetet fillestare.
Duke iu referuar dokumenteve publike dhe të dhënave të siguruara përmes kërkesave zyrtare për informim, Raluca Petru, eksperte për çështjet e gazit pranë organizatës Bankwatch, deklaroi se në Rumani, Transgaz, operatori kombëtar i sistemit të transmetimit të gazit, fillimisht kishte vlerësuar se përmirësimi i infrastrukturës në segmentin rumun të Korridorit Vertikal do të kushtonte 25 milionë euro. Megjithatë, në fund, kompania kërkoi 100 milionë euro nga fondet publike.
Dokumentet tregojnë se kompania u përpoq të siguronte financim nga Fondi i Modernizimit i Bashkimit Evropian, i krijuar për të ndihmuar shtetet anëtare me të ardhura më të ulëta në përmbushjen e objektivave të tyre energjetikë. Sipas raportit “Vlerësimi i Fondit të Modernizimit”, të porositur nga Komisioni Evropian dhe të publikuar këtë vit, Banka Evropiane e Investimeve përfundimisht e refuzoi kërkesën, pasi projekti nuk përmbushte kriteret për reduktimin e emetimeve.
Në përgjigjen e dhënë për këtë artikull, DESFA, operatori grek i sistemit të transmetimit të gazit, deklaroi se është duke vijuar vlerësimin e “pengesave të mbetura” dhe të “investimeve të mundshme”, ndërsa rezultatet pritet të bëhen publike deri në fund të këtij viti.
“Korridori Vertikal synon kryesisht shfrytëzimin më efikas të infrastrukturës ekzistuese në të gjithë Evropën Juglindore, duke e plotësuar atë me investime të synuara në ato segmente ku nevojitet rritje e kapaciteteve”, deklaroi operatori i sistemit të transmetimit të gazit.
DESFA theksoi se çdo investim shtesë do të vlerësohet në bazë të sigurisë së furnizimit, qëndrueshmërisë së sistemit, nevojave reale të tregut, leverdishmërisë ekonomike dhe kërkesës së pritshme. Sipas kompanisë, kostot përkatëse do të mbulohen përmes kuadrit rregullator në fuqi.
“Prioriteti ynë është të garantojmë zhvillimin efikas të infrastrukturës, duke shmangur investimet e panevojshme dhe duke kufizuar kostot shtesë për përdoruesit e sistemit”.
Lidhur me uljen e kostove të transportit të gazit përmes Korridorit Vertikal, DESFA u shpreh se kjo kërkon “përmirësimin e koordinimit ndërmjet operatorëve të sistemeve të transmetimit” dhe shfrytëzimin më efikas të “infrastrukturës ekzistuese”.
“Megjithëse kostoja e përgjithshme e transportit varet nga disa faktorë, përfshirë tarifat e aplikuara në vendet pjesëmarrëse, këto përshtatje përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt rritjes së konkurrueshmërisë së Korridorit”, deklaroi kompania.
Ministria greke e Mjedisit dhe Energjisë njoftoi se nuk kishte mundësi t’i përgjigjej në kohë kërkesës për koment, ndërsa as kompanitë Aktor dhe DEPA nuk kthyen përgjigje.
Marrëveshje të nënshkruara në Shqipëri dhe Bosnjë. Po Ukraina?
Aktor njihej më parë si një kompani ndërtimi, por në vitin 2025 e zgjeroi aktivitetin edhe në sektorin e energjisë, me krijimin e kompanisë Atlantic SEE LNG Trade S.A.
Sipas gazetës The Wall Street Journal, Guilfoyle udhëtoi drejt Davosit me një avion privat në pronësi të Exarchou, pronarit të Aktor. Gjatë disa muajve, ajo “ndihmoi në bindjen e rreth gjysmë duzine shtetesh, nga Shqipëria deri në Rumani dhe Ukrainë, për të nënshkruar memorandume mirëkuptimi apo deklarata të tjera” që shprehnin interesin e tyre për blerjen e LNG-së amerikane, veçanërisht përmes kompanisë Aktor.
WSJ raportoi gjithashtu se Christos Marafatsos, një sipërmarrës greko-amerikan dhe lobist i kompanisë Aktor, e shoqëronte Guilfoyle në takimet e saj me zyrtarë qeveritarë.
Exarchou nuk e mohoi se e kishte transportuar Guilfoyle drejt Davosit, por deklaroi se ishin respektuar të gjitha procedurat e kërkuara. Ai theksoi se Aktor nuk është klienti i vetëm i Marafatsos dhe mohoi çdo shkelje.
Gjatë qëndrimit të saj të shkurtër në Greqi, Guilfoyle rezulton se ka udhëtuar gjerësisht në rajon, me qëllim promovimin e LNG-së amerikane. Gjatë kësaj periudhe, Exarchou duket se ka arritur të sigurojë tregje në Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë për gazin natyror të lëngshëm amerikan që tregton kompania e tij.
Më 28 prill, Aktor LNG USA, një filial amerikan i kompanisë Aktor, nënshkroi një marrëveshje tregtare 20-vjeçare me kompaninë shtetërore shqiptare të gazit natyror, ALBGAZ, për shitjen e LNG-së amerikane në Shqipëri. Të ardhurat e parashikuara nga kjo marrëveshje vlerësohen në gjashtë miliardë euro gjatë gjithë periudhës së kontratës.
Një ditë më vonë, Aktor LNG USA nënshkroi një marrëveshje 20-vjeçare me kompaninë ALUMINIJ INDUSTRIES në Bosnjë dhe kompaninë e saj mëmë, M.T. Abraham, për furnizimin me 0,5 miliardë metra kub gaz në vit, duke filluar nga viti 2030. Të ardhurat e parashikuara për të gjithë kohëzgjatjen e marrëveshjes arrijnë në tre miliardë euro.


Në muajin tetor, Exarchou deklaroi se sasitë e LNG-së amerikane që kompania e tij ka rënë dakord të blejë nga Venture Global për periudhën 2030–2050 mbulohen nga këto dy marrëveshje.
Paralelisht, Aktor LNG USA nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi për zhvillimin, ndërtimin dhe operimin e një centrali elektrik me gaz natyror në Shqipëri, me kapacitet prej rreth 380 megavatësh (MW). Gjithashtu, u arrit një marrëveshje për bashkëpunimin e ardhshëm në zhvillimin, ndërtimin dhe operimin e një centrali elektrik me gaz natyror në Mostar të Bosnjës.
Vitin e kaluar, Atlantic SEE LNG Trade S.A., kompani e grupit Aktor, nënshkroi memorandume mirëkuptimi me kompaninë shtetërore ukrainase Naftogaz, kompaninë rumune Nova Power & Gas dhe shoqërinë shtetërore rumune Transgaz, lidhur me furnizimin me LNG duke filluar nga 1 janari 2030. Naftogaz shprehu interes për blerjen e deri në 700 mijë tonëve LNG në vit, ndërsa kompanitë rumune për deri në 1,4 milionë tonë në vit.
Exarchou argumenton se “marrëveshjet afatgjata janë çelësi për garantimin e furnizimit me energji dhe stabilitetit të çmimeve”.
Në raportin e saj për vitin 2025, Aktor përmend një marrëveshje të parë për shitjen e LNG-së në Ukrainë, të cilën kompania do ta sigurojë nga gjiganti amerikan i energjisë BP dhe më pas do t’ia shesë kompanisë Naftogaz. Megjithatë, sasia e gazit që parashikohet të furnizohet nuk bëhet e ditur.
Në fakt, në një ankand të fundit për furnizimin me gaz, Naftogaz nuk shprehu interes për furnizimin me LNG amerikane përmes Greqisë.
Naftogaz i deklaroi gazetës The Wall Street Journal se kishte ndërprerë negociatat me kompaninë Aktor.
Ndërkohë, Ministria e Energjisë e Shqipërisë deklaroi se nuk ishte plotësisht e bindur për leverdishmërinë ekonomike të marrëveshjes me Atlantic SEE LNG Trade, kompaninë e grupit Aktor, dhe se po priste përfundimin e një studimi fizibiliteti.
Në muajin tetor, Exarchou deklaroi se marrëveshja ishte “një çështje e përfunduar, që nuk i nënshtrohej asnjë kushti”. Ndërkohë, Memorandumi i Mirëkuptimit me kompaninë rumune Transgaz ka skaduar që atëherë, ndërsa prodhuesi rumun i gazit, Romgaz, sipas raportimeve, ka refuzuar një propozim të Atlantic SEE LNG Trade për furnizimin me LNG amerikane për një periudhë 20-vjeçare, pasi kishte identifikuar humbje të mundshme vjetore nga 50 deri në 310 milionë euro.
Giorgos Polychroniou, konsulent menaxhimi pranë DEPA-s, deklaroi se Rumania po punonte për të vënë në funksion një impiant të vetin të gazit në vitin 2027, me qëllim mbulimin e rreth gjysmës së mungesës së krijuar nga ndërprerja e furnizimit me gaz rus.
BE: Infrastruktura e gazit natyror është “mjaftueshëm e zhvilluar”
Një zyrtar i BE-së, i cili foli në kushte anonimiteti, pranoi “rolin e rëndësishëm” që luan gazi natyror i lëngshëm amerikan në mbështetjen e “procesit të eliminimit gradual” të gazit rus nga blloku.
Ndonëse BE-ja po e “monitoron nga afër” Korridorin Vertikal të Gazit (VGC), zyrtari tha se përparësia e saj aktuale është “maksimizimi i përdorimit efikas të infrastrukturës që tashmë është në funksion”.
Infrastruktura e transmetimit të gazit natyror në BE “është mjaftueshëm e zhvilluar, e ndërlidhur mirë dhe fleksibël”, për t’u mundësuar vendeve anëtare të sigurojnë LNG dhe importe gazi nëpërmjet tubacioneve nga burime të ndryshme.
IEEFA, e cila monitoron të dhënat globale për energjinë, vlerëson se Evropa do ta zgjerojë kapacitetin e saj të importit të LNG-së me gjashtë për qind në vitin 2026, ndërsa zgjerimi i përgjithshëm i kapacitetit të importit të LNG-së gjatë periudhës 2023–2025 arriti në 24 për qind.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, IEEFA vëren se “kontinenti e ka zëvendësuar varësinë nga gazi rus përmes tubacioneve me ekspozimin ndaj LNG-së, çmimi i së cilës përcaktohet në tregjet globale të paqëndrueshme”.
Nga ana tjetër, kërkesa për gaz natyror është në rënie.
Nëse Evropa i vijon përpjekjet për të kufizuar konsumin e gazit, IEEFA parashikon “që në vitin 2030 kapaciteti i importit të LNG-së mund të tejkalojë kërkesën e përgjithshme për gaz natyror dhe të jetë tri herë më i madh se kërkesa për LNG”.
Madje, edhe vetë Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës i Greqisë përcakton si objektiv që deri në vitin 2035, mbi 90 për qind e prodhimit vendas të energjisë elektrike të mbulohet nga burimet e rinovueshme të energjisë.
Atëherë, pse gjithë kjo këmbëngulje për LNG-në amerikane?
Në vitin 2024, The New York Times e përshkroi përfitimin kryesor që Greqia nxjerr nga orientimi drejt LNG-së amerikane për qëllime eksporti si “politik, jo ekonomik”.
“Greqia pozicionohet si një vend qendror për sigurinë energjetike të Evropës dhe luan një rol kyç në strategjinë e Perëndimit për izolimin e Rusisë”, shkruante gazeta, por “paratë e vërteta do të shkojnë te kompanitë amerikane të gazit”.
Ekspertët që folën për BIRN/Solomon thanë gjithashtu se besojnë që politika energjetike e Greqisë po udhëhiqet nga vendosmëria për t’u afruar më shumë me SHBA-në.
“Ne duam të jemi ‘fëmija i mirë’ i SHBA-së dhe të përputhim qëndrimet tona me politikat amerikane në rajon”, tha Roussos. “Arsyeja është e qartë: ne besojmë se, nga pikëpamja gjeopolitike, po luajmë një rol që do ta rrisë deri diku rëndësinë e vendit tonë.”
Megjithatë, shtoi ai, “ne nuk dëshirojmë të ngremë çështjen e ndonjë përfitimi reciprok në këmbim të kësaj. Ne nuk marrim asnjë rentë, as nuk mbledhim tarifa tranziti”.
Lobimi kundër kufizimeve për metanin


Përtej aspektit ekonomik, duhen marrë në konsideratë edhe pasojat mjedisore të politikës energjetike të Greqisë.
Së fundmi, qeveria greke, përmes kompanisë HELLENiQ ENERGY, e njohur më parë si Hellenic Petroleum, ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh me gjigantët amerikanë të naftës Chevron dhe ExxonMobil për kërkimin e hidrokarbureve në zonat detare në jug të Kretës dhe Peloponezit, në veriperëndim të Detit Jon, si dhe në pjesën jugore të Detit Jon.
“Ne besojmë fuqimisht te Korridori Vertikal si një alternativë ndaj gazit rus”, deklaroi kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një nga ceremonitë e nënshkrimit të marrëveshjeve në shkurt të vitit 2026.
“Ne duam gjithashtu të prodhojmë gazin tonë natyror”, tha ai. “Evropa ka nevojë për të dhe ne duam të bëhemi furnizues të saj.”
Stergiou, nga Universiteti i Thesalisë, tha se dhënia e licencave për nxjerrjen e hidrokarbureve ishte “kriminale për mjedisin, për brezat e ardhshëm dhe për vetë Mesdheun”.
Në tetor të vitit 2024, një studim i Universitetit Cornell në SHBA zbuloi se gjurma mjedisore e LNG-së, e matur në një periudhë 20-vjeçare, ishte 33 për qind më e rëndë se ajo e qymyrit.
Përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit me LNG – nga nxjerrja dhe transporti deri te rigazifikimi – ndodhin rrjedhje të konsiderueshme të metanit. Metani është mbi 80 herë më i dëmshëm për atmosferën sesa dioksidi i karbonit.
Muajin e kaluar, Parlamenti Evropian votoi për shtyrjen deri në vitin 2030 të zbatimit të Rregullores për Metanin, e cila do t’u kërkonte kompanive të naftës dhe gazit të regjistronin emetimet e metanit, të përmirësonin infrastrukturën dhe të merrnin masa për eliminimin e rrjedhjeve.
Dhjetë nga 21 eurodeputetët grekë morën pjesë në votim. Fredi Beleri, Manolis Kefalogiannis dhe Dimitris Tsiodras – të tre eurodeputetë të partisë në pushtet në Greqi, Demokracia e Re – votuan pro shtyrjes, ashtu si edhe Emmanouil Fragkos i partisë populiste të krahut të djathtë, Zgjidhja Greke (Greek Solution).
Politico raportoi se votimi erdhi “pas një fushate disamujore presioni nga kompanitë e naftës dhe gazit”.
Pak para votimit, gjiganti amerikan i naftës ExxonMobil pagoi 31,500 dollarë për botimin e një artikulli opinioni në Politico, ku argumentonte kundër vendosjes së kufizimeve të tilla.






