LSDM ka ngritur shqetësime se deri më 31 tetor, ekzekutivi i drejtuar nga Mickoski nuk ka kaluar në shtyllën e dytë të pensioneve një shumë prej 51 milionë eurosh nga kontributet e qytetarëve.
Nga kjo parti theksojnë se bëhet fjalë për kursime që punonjësit i ndajnë çdo muaj nga rrogat e tyre, me qëllim sigurimin e një pleqërie të qetë dhe me dinjitet.
Të lidhura
None found
Sipas LSDM-së, veprimet e qeverisë po rrezikojnë kursimet pensionale të mbi 650 mijë qytetarëve. Ata kujtojnë se Fondi Pensional ka një afat ligjor prej pesë ditësh për të kryer transferimin e kontributeve në shtyllën e dytë, ndërsa tashmë kanë kaluar muaj të tërë vonesë.
Partia vlerëson se kjo situatë përbën përgjegjësi penale dhe kërkon që hetimet të nisin nga Nikola Memov, i cili drejton Fondin Pensional. Ata i bëjnë thirrje Prokurorisë Publike të ndërhyjë dhe të identifikojë fajtorët, si dhe kërkojnë që transferimi i parave të bëhet pa vonesë.
“Ato mjete janë fituar me punë nga punëtorët. Shteti ka detyrim t’i transferojë, dhe kushdo që ka shkaktuar vonesën duhet të japë llogari”, përfundon deklarata e LSDM-së.








