Këshilli i Ministrave ka emëruar Fation Shehun në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Vendimi është marrë më 20 nëntor 2026, ndërsa Shehu zëvendëson në këtë post Besmir Bejën.
Deri më tani, Fation Shehu mbante detyrën e drejtorit të Antikontrabandës në administratën doganore, strukturë të cilën e drejtonte që prej gushtit të vitit 2022. Për më shumë se katër vjet, ai ka qenë në krye të strukturës operative përgjegjëse për luftën kundër kontrabandës, informalitetit dhe krimit të organizuar në fushën doganore.
Fation Shehu është avokat me profesion. Nga tetori i vitit 2012 deri në qershor të vitit 2022, ai ka ushtruar profesionin në një studio ligjore, përpara se t’i bashkohej administratës doganore.
Në vitin 2025, Shehu u vlerësua me çmimin e parë nga Qendra e Zbatimit të Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC), për rezultatet e arritura në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.
Gjatë karrierës së tij, ai ka marrë pjesë gjithashtu në programe ndërkombëtare trajnimi në fushën e kontrolleve doganore dhe sigurisë.
