Pesë raste sinjalizimi për dronë/ Zbulohen detaje nga alarmi në aeroportin e Xhenovës, nis hetimi për cenimin e sigurisë ajrore
Policia Kufitare dhe Prokuroria në Xhenova kanë nisur hetimet për fluturimin e dronëve të paautorizuar pranë aeroportit “Cristoforo Colombo”, incident që detyroi autoritetet të pezullonin trafikun ajror për rreth dy orë.
Hetuesit po përpiqen të identifikojnë personat që pilotonin dronët dhe të zbardhin nëse bëhej fjalë për një veprim të qëllimshëm për të penguar aktivitetin e aeroportit apo për një veprim të papërgjegjshëm. Sipas mediave italiane, janë regjistruar pesë raste sinjalizimi për dronë, tre në anën perëndimore dhe dy në atë lindore të aeroportit.
Një nga elementet që po shqyrtohet është fakti se mjetet fluturuese kishin dritat e ndezura. Gjithashtu, hetuesit po verifikojnë nëse dronët kishin lidhje me njëri-tjetrin apo bëhej fjalë për pajisje të ndryshme, të operuara nga persona të ndryshëm.
Policia Kufitare ka hapur një hetim për shkeljen e rregullave të Autoritetit Kombëtar të Aviacionit Civil (ENAC) mbi sigurinë e trafikut ajror. Ndërkohë, Prokuroria pritet të regjistrojë zyrtarisht një çështje për cenim të sigurisë së transportit, sapo të marrë raportimin zyrtar nga policia.
Në hetime janë përfshirë edhe njësia antiterroriste Digos dhe Kapiteneria e Portit. Autoritetet po verifikojnë gjithashtu nëse pesë dronët vepronin në mënyrë të koordinuar dhe nëse pas incidentit fshihej një përpjekje e qëllimshme për të ndërprerë aktivitetin e aeroportit. Deri tani, nuk ka prova që të përcaktojnë motivin apo personat përgjegjës.
Alarmi u dha rreth orës 20:30, pas sinjalizimeve nga qytetarët dhe kulla e kontrollit. Në orën 20:10 ishte vendosur ndalimi i fluturimeve në hapësirën ajrore përreth aeroportit.
Për shkak të incidentit, një avion i ITA Airways, me destinacion Romën, mbeti i bllokuar në pistë. Pasagjerët u zbritën dhe u rikthyen në bord pasi përfunduan kontrollet e sigurisë. Trafiku ajror rifilloi pak pas orës 22:00, me autorizimin e autoriteteve të aviacionit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




