Iu prezantua si zyrtar i lartë dhe i kërkoi 1 milion euro 54-vjeçarit, arrestohet i riu në Tiranë
Një 25-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se tentoi t’i merrte 1 milion euro një 54-vjeçari, duke u prezantuar në platforma komunikimi online si funksionar publik.
Policia bën me dije se operacioni i koduar “Request” u finalizua pas denoncimit të 54-vjeçarit, i cili kishte dyshime se po bëhej viktimë e një mashtrimi përmes përdorimit të identitetit të një zyrtari publik.
Pas veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, ndërhynë dhe arrestuan në flagrancë 25-vjeçarin A. M., banues në Tiranë, në momentin kur po merrte paratë.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast, si dhe në raste të tjera të ngjashme që përdorin të njëjtën skemë mashtrimi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”, kryer në bashkëpunim.




