Zëvendësministrja e Mbrojtjes shpjegon hapat për blerjen e sistemit raketor HIMARS në SHBA, ja kur vihet në funksion

20 Nëntor 2026 | 11:37

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Blerina Abrazhda, ka dhënë detaje mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i blerjes së sistemeve raketore HIMARS në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E ftuar në “Now” me Esmeralda Mulajn, ajo bëri të ditur se pas njoftimit zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit për shitjen e sistemeve, pritet të përfundojë afati 15-ditor i procedurës dhe më pas të vijë konfirmimi përfundimtar, përmes firmosjes së letrës së pranimit nga pala shqiptare.

Ajo sqaroi se pas firmosjes së dokumentit të pranimit do të nisin fazat e porosisë, prodhimit dhe dislokimit të sistemeve. Sipas saj, këto procese mund të zgjasin deri në dy vite, në varësi të kushteve të kontratës dhe situatës së prodhimit.

“Sistemi i blerjes së produkteve nga SHBA është standard për çdo shtet. Është disi më i shkurtër për shtetet që janë aleate në NATO. Amerika ka rregulla shumë të qarta për teknologjinë ushtarake që eksporton. Departamenti i Shtetit njofton Kongresin se ka për qëllim të aprovojë një shitje nga Shqipëria për këto produkte. Kjo është një paketë që përfshin edhe produkte të tjera. Për momentin ka dalë njoftimi dhe lajmi për HIMARS-in dhe brenda 15 ditësh mbyllet procedura. Ne nuk presim asgjë tjetër përveç konfirmimit final dhe firmosjes së letrës së pranimit.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes u ndal edhe te rëndësia që ka pajisja e Forcave Tokësore me këtë sistem, duke e cilësuar blerjen pjesë të procesit më të madh të modernizimit ushtarak të Shqipërisë në 35 vitet e fundit.

Ajo shpjegoi se HIMARS është një sistem artilerie raketore me lëvizshmëri të lartë, që mundëson zhvendosjen e shpejtë të njësive dhe goditjen me precizion të objektivave në distanca të largëta.

“Shqipëria është në modernizimin më të madh ushtarak që ka pasur në 35 vitet e fundit. HIMARS prek domenin tokësor, pra Forcat Tokësore pajisen me HIMARS, i cili jo vetëm garanton një lëvizshmëri më efikase të forcave tokësore, por edhe kapacitete të reja goditëse. Konkretisht, HIMARS është artileri që lëviz dhe mund të godasë lokacione dhe objektiva të palës kundërshtare në distanca të largëta dhe me precizion të jashtëzakonshëm”, deklaroi ajo.

Abrazhda solli në vëmendje edhe përdorimin e HIMARS në luftën në Ukrainë, ku ky sistem është përdorur për goditjen e pozicioneve dhe infrastrukturës logjistike të forcave ruse.

“HIMARS ka qenë i domosdoshëm në luftën në Ukrainë, pasi përdoret për të dëmtuar në aspektin logjistik palën kundërshtare dhe i jep Shqipërisë një funksion të jashtëzakonshëm në misionet e përbashkëta me aleatët”, tha ajo.

HIMARS është shkurtimi i emërtimit High Mobility Artillery Rocket System, që në shqip përkthehet si Sistemi Raketor i Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë. Bëhet fjalë për një sistem raketor amerikan, të montuar mbi një automjet ushtarak me rrota, i projektuar për të goditur objektiva ushtarake nga distanca të mëdha. Në varësi të municionit të përdorur, sistemi mund të godasë objektiva deri në rreth 300 kilometra.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Reshje shiu në gjithë vendin, meteorologia Porja: Të mërkurën dhe të premten priten rrebeshe

“Java që sapo ka nisur do të karakterizohet nga mot i ngrohtë, por i lagësht, me reshje shiu në pothuajse të gjithë territorin e Shqipërisë”....
09:48 | 16/11/2026

Reshje shiu dhe borë në zonat malore, parashikimi i motit për këtë javë

Meteorologu i MetoAlb, Hakil Osmani, në një lidhje të drejtpërdrejtë për Euronews me Esmeralda Mulaj, bëri parashikimin e motit, duke theksuar se e gjithë kjo...
10:42 | 09/11/2026

“Rrebeshe shiu dhe dëborë në zonat malore”, meteorologia: Nga e mërkura vjen i ftohti

Reshje shiu, në disa zona edhe në formën e rrebesheve, si dhe dëborë në zonat e thella malore. Kjo është situata meteorologjike që pritet të...
10:15 | 02/11/2026