Zbardhen detajet e operacionit/ Si erdhën 12 kg kanabis në formë xhelatine me postë nga Anglia, i riu braktisi makinën. Destinacioni ishte…

20/11/2026 11:42

12 kilogramë kanabis në trajtë xhelatine, të destinuara për shitje në Shqipëri, janë sekuestruar nga Policia e Tiranës. Në kuadër të operacionit, një 22-vjeçar është arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Aksioni policor u zhvillua në orët e para të mëngjesit të 19 nëntorit, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për transportimin e lëndës narkotike nga dy të rinj, banues në Paskuqan.

Policia i është vënë në ndjekje automjetit ku dyshohej se transportohej droga. Kur kanë konstatuar se po ndiqeshin, të rinjtë kanë vijuar lëvizjen me shpejtësi në drejtim të autostradës Tiranë-Elbasan, ku kanë braktisur automjetin dhe janë larguar. Dyshohet se destinacion ishte pikërisht Elbasani.

Sakaq informacionet e para janë se droga ka ardhur nëpërmjet shërbimeve postare nga Anglia dhe përllogaritet të ketë vlerën e 30 mijë eurove.

Gjatë operacionit u bë e mundur arrestimi i Mariglen Vatës, 22 vjeç, i cili dyshohet se kontrollonte itinerarin e lëvizjes së automjetit që transportonte drogën. Ndërsa drejtuesi i mjetit dhe poseduesi i dyshuar i lëndës narkotike, Flavio Ismailaj, është shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit në automjetin e braktisur, policia gjeti 12 kilogramë kanabis në trajtë xhelatine. Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit u sekuestrua edhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu dy automjete dhe tre telefona celularë. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim.

Top Channel