Ernest Muçi mund të jetë protagonist i një transferimi të bujshëm në futbollin italian. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka përfunduar në radarët e Romës, ndërsa në këtë histori përmendet edhe një emër i madh si Mohamed Salah.
Sipas raportimeve të mediave italiane, klubi kryeqytetas ka marrë informacione për 25-vjeçarin e Trabzonspor. Madje, pretendohet se vetë Salah, ish-futbollist i Romës, ia ka rekomanduar shqiptarin pronarëve të klubit italian, grupit “Friedkin”.
Interesimi vjen në një moment kur Trabzonspor po përballet me oferta për disa prej futbollistëve të tij. Presidenti Ertuğrul Doğan ka konfirmuar se klubi ka marrë propozime zyrtare për tre lojtarë, ndërsa emri i Muçit është ndër ata që po tërheqin vëmendjen në tregun europian.
Megjithatë, transferimi nuk pritet të jetë i lehtë. Sipas burimeve italiane, drejtuesit turq kërkojnë të paktën 22 milionë euro për kartonin e futbollistit shqiptar dhe nuk kanë ndërmend të heqin dorë lehtësisht prej tij.
Arsyet për interesimin janë të qarta edhe në aspektin sportiv. Muçi ka regjistruar tre gola dhe gjashtë asistime në 10 ndeshje të kampionatit turk, duke kontribuar drejtpërdrejt në nëntë gola.
Për momentin, bëhet fjalë për interesim dhe jo për një ofertë zyrtare të konfirmuar. Mbetet për t’u parë nëse Roma do të bëjë hapin konkret për të transferuar shqiptarin në Serie A.
