Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherësh dhe drejtues politik i Diasporës ka bërë të ditur se “Prania Besnike” do të shtrihet edhe në diasporën shqiptare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla deklaron se komunikimi me bashkëatdhetarët jashtë vendit do të zhvillohet përmes takimeve të drejtpërdrejta dhe platformave digjitale.
“Prania Besnike do të marrë formë edhe për vëllezërit dhe motrat tona në diasporë. Sigurisht është e pamundur ta bëjmë këtë sy më sy kudo ku janë. Por sa të mundemi, aty ku mundemi, shtuar dhe mundësitë e komunikimit digjital, do ta shtrijmë Praninë Besnike edhe në diasporë”, shkruan Balla.
Balla ka përmendur zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, ku ka theksuar mbështetjen që Partia Socialiste mori nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“Më shumë se 200 mijë shqiptarë në diasporë shprehën me votë vullnetin e tyre se kush duhet ta drejtojë Shqipërinë dhe kush duhet t’i përfaqësojë në Kuvend. Mbi 122 mijë bashkëatdhetarë mbështetën Partinë Socialiste, Edi Ramën për vizionin Shqipëria anëtare e Bashkimit Europian.”
Balla thekson se Partia Socialiste mbetet e vetmja forcë politike besnike ndaj shqiptarëve.
“Dhe mos harroni, ka vetëm një forcë politike besnike: Partia Socialiste e Shqipërisë”, thekson Balla.

