Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka vlerësuar se në vend të masave emergjente, Kuvendi do të duhej të miratonte kredi garantuese për KEK-un për ndërtimin e termocentraleve të reja, ose projekte përmes partneriteteve.

Ai ka kritikuar edhe politikat energjetike të gjashtë vjetëve të fundit, duke përmendur kontratat për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut dhe blerjen e energjisë elektrike nga i njëjti shtet, sipas tij, me çmime deri në dhjetëfish më të larta se kostoja e prodhimit në KEK.

"Miratimi i masave për energji nga ana e Kuvendit mbrëmë, në orët e vona, ndërkohë që energjia elektrike u ndërpre edhe në Kuvendin e Kosovës, tregon po ashtu ku është katandisur qeverisja e këtyre dështakëve.

Në vend të këtij vendimi për masa në energji, do të duhej të miratohej ndonjë kredi garantuese për KEK-un për ndërtim të termocentraleve të reja, apo miratim i ndonjë projekti me partneritet për termocentrale të reja.

Dështimin e qeverisjes 6-vjeçare dhe varfërinë e mendimit politik të këtyre dështakëve e tregojnë kontratat për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe blerjen e energjisë elektrike nga i njëjti vend me çmim deri në 10 vish më të lartë se kostoja e prodhimit të energjisë nga KEK-u.

Sikur të mos anulohej projekti Kosova e Re, sot, pas gjashtë vitesh, do të furnizoheshim nga Termocentrali Kosova e Re me çmim fiks prej 80 euro për MWh. Sikur të mos anulohej projekti i gazit, ai projekt mund të ishte në finalizim e sipër.

Kjo klasë politike ka sjellë vetëm mjerim ekonomik e politik për Kosovën.

Në mungesë të çfarëdo projekti për ndërtim të termocentraleve të reja, ne sot e dimë se edhe për së paku 5 vite do të kemi të njëjtat probleme me energji.

Pasojat e kësaj situate po i bartim të gjithë. Bizneset tona po bëhen jokonkurruese për shkak të kostove më të larta", ka shkruar Hoti.