Çështja që lidhet me Nvidia-n dhe drejtuesin e saj, Jensen Huang, mund të jetë shumë më e ndërlikuar sesa një histori që lidhet vetëm me seksin.
Pas saj mund të fshihet një strategji më e gjerë e spiunazhit kinez, që synon të depërtojë në kompanitë më të rëndësishme teknologjike dhe të sigurojë akses në teknologjitë më të avancuara të inteligjencës artificiale. Paralajmërimi vjen nga Cristina Posa, ish-prokurore federale amerikane dhe ish-zyrtare e Departamentit të Drejtësisë në Ambasadën e SHBA-ve në Romë, e cila ka analizuar për Corriere della Sera çështjen që përfshin kompaninë amerikane Nvidia.
Sipas Posës, strategjia e Kinës në fushën e spiunazhit është e mirëorganizuar dhe zbatohet në mënyrë sistematike, përmes agjencive të inteligjencës që veprojnë mbi bazën e objektivave dhe prioriteteve të përcaktuara qartë. Ajo thekson se Pekini mund të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të arritur qëllimet e tij, duke përfshirë edhe përpjekjet për të ndikuar te individë që kanë akses në informacione dhe teknologji me rëndësi strategjike.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur në lojë janë teknologjitë e inteligjencës artificiale, pasi kontrolli mbi to nuk përfaqëson vetëm një avantazh ekonomik, por edhe një çështje të drejtpërdrejtë të sigurisë kombëtare.
Sipas ish-prokurores, depërtimi në këtë sektor mund të ndikojë në ekuilibrat teknologjikë dhe në vendimmarrjen politike, duke e kthyer konkurrencën për inteligjencën artificiale në një betejë me pasoja përtej industrisë së teknologjisë.
Cristina Posa ka më shumë se 20 vite përvojë në hetimet ndërkombëtare. Ajo ka drejtuar njësinë kundër falsifikimit në Amazon dhe një ekip ligjor në Meta, që trajtonte kërkesat e autoriteteve shtetërore për të dhënat e përdoruesve. E diplomuar në Harvard Lau School dhe Johns Hopkins University, ajo aktualisht është këshilltare e lartë në RSM Italy dhe pedagoge e së drejtës së inteligjencës artificiale dhe sigurisë kibernetike në John Cabot University.
Paralajmërimi i saj është se çështja Nvidia duhet parë përtej dimensionit personal, pasi në sfond mund të jetë një përpjekje më e gjerë e Kinës për të fituar ndikim mbi teknologjitë që do të përcaktojnë të ardhmen.









