Analisti Frrok Çupi ka rikthyer në vëmendje tensionet politike të vitit 1998 dhe kërcënimet që, sipas tij, shoqëruan procesin e referendumit për Kushtetutën, duke bërë një paralelizëm me zhvillimet aktuale politike.
Në një intervistë për “Ora e Fundit”, Çupi akuzon Sali Berishën se ka përdorur vazhdimisht gjuhën e kërcënimeve dhe të dhunës sa herë është përballur me dështime politike.
Ai paralajmëron për tensione të mundshme më 28 nëntor, duke iu referuar deklaratave të bëra në sheshin Skënderbej, ndërsa e cilëson retorikën e Berishës më shumë si një formë shantazhi politik dhe frikësimi të qytetarëve sesa si një kërcënim real për shpërthimin e një konflikti.
Sipas Çupit, Shqipëria është e garantuar dhe rruga e saj drejt Bashkimit Europian nuk mund të ndalet nga këto deklarata.
“Ka qenë një ditë dimri, ditë e ftohtë, por të gjithë qytetarët e Shqipërisë dolën në referendum. Por, që në fillim të nëntorit ishin hapur kërcënime që Shqipëria do të përgjakej dhe që njerëzit të mos dilnin në referendum. 93% e pjesëmarrësve votuan pro Kushtetutës. Kjo është PD me 6%, por ka mbjellë frikë. Berisha në krye të herës ka gjithmonë, sa herë dështon, kërcënon me armë, më gjak me zjarr.
Kjo është historia e kësaj Kushtetute e cila më 28 nëntor të vitit 1998, u dekretua nga presidenti i republikës dhe është datë historike. Ndërsa këtë vit 28 nëntori do të jetë vërtet një datë historike, sepse Berisha do të vijë sërish me ushtrinë e tij për të gjakosur popullin. Sipas premtimeve që janë dhënë në sheshin Skënderbej. Kjo ndodh rëndomë dhe duhet të njohësh historinë e PD dhe Berishës, si një njeri që nuk akomodohet dot me atdheun e tij, nuk akomodohet dot me vendin.
Fizikisht ai nuk e njeh dhe nuk e pranon Shqipërinë. Berisha nuk pranon dot asnjë nga hapat që bën vendi. Sot nuk pranon dot që Shqipëria do të shkojë drejt Bashkimit Europian. Nuk pranon dot që sot buxheti i shtetit është në vlerën e 10 miliardë euro, që nuk e ka parë ëndërr. Berisha nuk e pranon dot atë që bëhet dhe ngaqë është i dështuar del e kërcënon. Është më shumë një shantazh që u bën njerëzve të tij se sa do të ndezë luftë më. Shqipëria është e garantuar”, tha Çupi.