Foto ilustruese

Një konflikt për një borxh prej 600 mijë lekësh ka përfunduar me kanosje me armë zjarri në Tiranë. 20-vjeçari Daniel Damzi është arrestuar nga Policia, pasi dyshohet se kërcënoi një 31-vjeçar për t’i marrë shumën e pretenduar si borxh, ndërsa babai i tij është proceduar penalisht për kanosje me fjalë.

Gjatë kontrollit në banesën e të riut, policia sekuestroi një pistoletë, municion luftarak dhe një sasi kokaine. Aksioni u finalizua në kuadër të operacionit të koduar “Pretendimi”.

“Tiranë/Finalizohet nga Komisariati Nr. 3, operacioni i koduar “Pretendimi”. Kanosi me armë zjarri, një shtetas, për t’i marrë borxhin, arrestohet 20-vjeçari. Procedohet penalisht, gjithashtu për kanosje, babai i tij. Sekuestrohen pistoleta me të cilën dyshohet se u krye kanosja, municion luftarak dhe sasi Kokaine.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, për administrimin e kallëzimit të një 31-vjeçari, se ishte kanosur me armë zjarri, për dhënien e një shume parash, u finalizua operacioni i koduar “Pretendimi”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi D. D., 20 vjeç, banues në Tiranë.

20-vjeçari dyshohet se ka kanosur me armë zjarri, 31-vjeçarin, për t’i marrë 600 000 lekë që pretendon se ky i fundit ia ka borxh. Nga kontrolli në banesën e shtetasit të arrestuar, u gjetën armë zjarri (pistoletë) me municion dhe sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë, për babanë e 20-vjeçarit, shtetasin Sh. D., 45 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë, 31-vjeçarin, për të njëjtin motiv. Në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimi për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, shkruan Policia.

Top Channel