Friday / November 20 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Europa

Kriza e strehimit, si po përpiqen ta përballojnë vendet europiane

Share Share Icon

Çmimet e banesave në Bashkimin Europian janë rritur me pothuajse 70% që nga viti 2015, ndërsa qiratë janë shtrenjtuar me 25%, duke tejkaluar ndjeshëm ritmin e rritjes së të ardhurave, sipas zyrës së statistikave të BE-së, Eurostat.

Rritja më e madhe e kostove është regjistruar në Portugali, e ndjekur nga Holanda.

Shtrenjtimi i strehimit ka nxitur një valë protestash në të gjithë Europën. Organizatat për mbrojtjen e të drejtës së strehimit dhe sindikatat nga Franca, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Spanja, Italia, Portugalia dhe Greqia kanë bërë thirrje për tri ditë protestash të koordinuara, duke nisur nga e premtja, 20 nëntor. Ato kërkojnë që qeveritë të garantojnë të drejtën për strehim dhe të ulin kostot e banimit, ushqimeve dhe energjisë.

Qeveritë europiane kanë shpallur masa që variojnë nga vendosja e kufijve për qiratë dhe forcimi i rregullave për qiradhënien afatshkurtër, deri te planet për ndërtimin e më shumë banesave me çmime të përballueshme, ndërsa rritja e çmimeve dhe mungesa e banesave po rëndojnë si mbi qiramarrësit, ashtu edhe mbi blerësit.

Më poshtë paraqiten masat që po ndërmerren për të lehtësuar barrën financiare të strehimit.

Spanja

Dëbimi në shtator i 87-vjeçares Maricarmen Abascal nga banesa ku kishte jetuar gjithë jetën shkaktoi reagime të forta në mbarë vendin, duke e shtyrë parlamentin të miratonte ligje të reja që kufizojnë dëbimet nga banesat dhe spekulimin me pronat.

Megjithatë, ligjvënësit hodhën poshtë rinovimin automatik të kontratave të qirasë, një nga kërkesat kryesore të protestuesve. Partia Popullore konservatore, e cila kryeson në sondazhet e opinionit, është zotuar t’i shfuqizojë masat nëse vjen në pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme të 29 nëntorit.

Qeveria e majtë kishte miratuar që në vitin 2023 një ligj që parashikonte shtimin e banesave sociale dhe kontrollin e qirave në rajonet ku kriza e strehimit ishte më e theksuar.

Por deri tani këto masa janë zbatuar vetëm në mënyrë të kufizuar.

Barcelona, një nga qytetet më të vizituara të Europës, është angazhuar të shtojë numrin e apartamenteve të disponueshme në treg, duke mos rinovuar rreth 10 mijë licencat për dhënien me qira të banesave për turistët përmes Airbnb dhe platformave të tjera.

Portugalia

Qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit Luís Montenegro është përqendruar te masat fiskale për të nxitur pronarët që t’i nxjerrin shtëpitë ose apartamentet e tyre në tregun e qirave.

Ai ka rritur gjithashtu taksat për blerjen e pronave nga jorezidentët.

Megjithatë, në shtator, ligjvënësit miratuan një reformë të tregut të qirave, e cila e bën më të lehtë dhe më të shpejtë dëbimin e qiramarrësve që nuk paguajnë qiranë, duke shkaktuar një valë protestash.

Holanda

Qeveria e një prej vendeve me dendësinë më të lartë të popullsisë në Europë vendosi kufij maksimalë për qiratë e shumë banesave në pronësi private.

Por shumë pronarë preferuan t’i shisnin pronat në vend që t’i jepnin me qira, duke ulur numrin e banesave të disponueshme në tregun e qirave. Ndërkohë, qiratë për pronat që nuk përfshiheshin në kufizimet e vendosura vazhduan të rriteshin.

Në fillim të këtij viti, qeveria shpalli masa të reja për të përshpejtuar ndërtimin e banesave, duke garantuar njëkohësisht që dy të tretat e banesave të reja të jenë të përballueshme për blerësit dhe qiramarrësit.

Franca

Që nga viti 2023, qeveria centriste ka premtuar një rritje të fortë të ofertës së banesave, përmes masave që nxisin ndërtimin e objekteve të reja dhe nxjerrjen e më shumë pronave në tregun e qirave, përfshirë lehtësimin e rregullave mjedisore.

Një projektligj që po diskutohet aktualisht në parlament do të lehtësonte rregullat që i detyrojnë pronarët të përmirësojnë izolimin termik të banesave me eficiencë të ulët energjetike, përpara se t’i japin me qira.

E djathta ekstreme kërkon shfuqizimin e plotë të këtyre rregullave.

Projektligji do të thjeshtonte gjithashtu procedurat për ndërtimin e banesave dhe do të ofronte lehtësime më të mëdha tatimore për pronarët privatë që japin prona me qira.

Gjermania

Mungesa e banesave me qira të përballueshme në Gjermani ka sjellë një rigjallërim të kooperativave të strehimit, shoqata në pronësi të anëtarëve të tyre, të cilat ofrojnë një alternativë si ndaj marrjes tradicionale me qira, ashtu edhe ndaj pronësisë individuale.

Banorët blejnë kuota në kooperativën që zotëron dhe administron banesat dhe paguajnë tarifa për apartamentet e tyre. Ky model ndihmon në mbajtjen e kostove të ulëta dhe në mbrojtjen e banorëve nga spekulimi me pronat.

Kooperativat administrojnë aktualisht rreth 10% të stokut të banesave me qira në Gjermani.

Që nga viti 2010, qiratë për kontratat e reja janë kufizuar në rajonet ku tregu i banesave është më i tensionuar. Kjo politikë ka frenuar rritjen e çmimeve, por ka sjellë edhe një rënie të ndërtimeve të reja.

Partia e majtë Die Linke e ktheu krizën e strehimit në Berlin në një nga çështjet kryesore të fushatës gjatë zgjedhjeve të fundit vendore, duke premtuar shpronësimin e dhjetëra mijëra apartamenteve në pronësi të kompanive të mëdha që japin banesa me qira. Qeveria federale po përpiqet ta bllokojë këtë nismë.

Mbretëria e Bashkuar

Qeveria laburiste synon të rrisë ofertën e banesave përmes ndërtimit të 300 mijë banesave sociale, duke ofruar njëkohësisht mbështetje financiare për personat që blejnë banesë për herë të parë.

Ajo ka ndaluar gjithashtu dëbimin e qiramarrësve pa një arsye të përligjur dhe ka kufizuar rritjen e qirave në vetëm një herë në vit.

Megjithatë, normat e larta të interesit, së bashku me barrën tatimore dhe kërkesat rregullatore, vazhdojnë të pengojnë ndërtimin e banesave të reja, të nevojshme për të lehtësuar mungesën kronike të ofertës.

Italia

Protestat e kanë shtyrë qeverinë e kryeministres Giorgia Meloni të ulë taksat mbi të ardhurat nga qiratë, një masë që synon të nxisë më shumë pronarë t’i nxjerrin shtëpitë dhe apartamentet në treg.

Qeveria planifikon të vërë në dispozicion rreth 100 mijë banesa të tjera gjatë 10 viteve të ardhshme, përmes rikonstruksionit të banesave sociale ekzistuese ose ndërtimit të banesave të reja, duke thjeshtuar njëkohësisht procedurat rregullatore.

Greqia

Autoritetet janë përqendruar në kufizimin e rritjes së vrullshme të qiradhënies afatshkurtër në një prej destinacioneve kryesore turistike të Europës, veçanërisht në Athinë dhe Selanik.

Qeveria ka vendosur gjithashtu kufizime më të forta për programin e saj të “vizave të arta”, i cili u jep të huajve të drejtën e qëndrimit në këmbim të investimeve në prona. Kritikët argumentojnë se ky program ka nxjerrë banesa jashtë tregut të disponueshëm për qytetarët grekë.

Subvencionet u mundësojnë blerësve të banesës së parë të përfitojnë kredi hipotekore me norma më të ulëta interesi. Ndërkohë, fonde publike janë vënë në dispozicion edhe për pronarët që angazhohen t’i japin pronat me qira afatgjatë, pasi të kenë kryer rinovimin e tyre.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Ari humbet shkëlqimin për investitorët

Metali i çmuar, i konsideruar prej kohësh si një mjet për diversifikimin e portofoleve, nuk i mbrojti investitorët gjatë rënies së fundit të aksion...

1 day më parë 7 Min Lexim

Nis samiti historik trepalësh mes udhëheqësve të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë

Trump deklaroi se “kemi përgjegjësi të mëdha për të zgjidhur problemet që prekin të gjithë planetin”, ndërsa iu bashkua presidentit kinez Xi Jinpin...

1 day më parë 7 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!