Kërcënoi me pistoletë 31-vjeçarin për t’i kthyer 600 mijë lekë borxh, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë (EMRI)
Një 20-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se ka kanosur me armë zjarri një 31-vjeçar, për t’i marrë shumën prej 600 mijë lekësh, të cilën pretendonte se ia kishte borxh.
Në kuadër të operacionit të koduar “Pretendimi”, të finalizuar nga Komisariati Nr. 3, policia arrestoi të riun, Daniel Damzi, banues në Tiranë. Pas kallëzimit të 31-vjeçarit, uniformat blu ushtruan kontroll në banesën e të dyshuarit.
Gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua pistoleta me të cilën dyshohet se është kryer kanosja, municion luftarak, si dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Në lidhje me këtë ngjarje është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe babai i 20-vjeçarit, 45 vjeç, me inicialet Sh.D., i dyshuar se ka kërcënuar me fjalë 31-vjeçarin për të njëjtin motiv.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.




