Erion Veliaj i është drejtuar me një letër nga burgu Belinda Ballukut, duke i kërkuar miratimin e operacionit në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes. Në mesazhin e publikuar, kryebashkiaku i Tiranës pretendon se kërkesat e tij të përsëritura drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit Toni Gogu dhe drejtoreshës së Burgjeve kanë mbetur pa përgjigje.
Veliaj thotë se prej një muaji po vuan izolimin në IEVP Fier me këmbën e thyer dhe në nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale. Ai i drejtohet Ballukut duke e ironizuar si “Dr. e Qarkut Fier” dhe duke iu referuar asaj si personi që, sipas fjalëve që qarkullojnë në burg, mund të zgjidhë problemin e tij.
Në mesazhin e tij, Veliaj shkruan:
“Znj. Balluku – Dr. e Qarkut Fier,
Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion – kjo të paktën nuk është “sekret”.
Kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, Min. Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër.
Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike.
Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime.
Socialisti “me duar të lidhura”. Erion Veliaj”. a.b





