Friday / November 20 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Banka Lajmet Kryesore Nga Vendi

Sejko me misionin e FMN: Pasiguritë e jashtme mund të sjellin goditje, duhen politika të kujdesshme

Share Share Icon

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Diego Cerdeiro, Shefi i Misionit për Shqipërinë, vizitoi Tiranën në datat 2 – 20 nëntor 2026.

Gjatë kësaj vizite, misioni zhvilloi takime me përfaqësues të Bankës së Shqipërisë të fushave të ndryshme, si dhe një takim përmbyllës me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe drejtues të lartë të institucionit.

Në takim u diskutuan zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, ecuria e inflacionit dhe e kursit të këmbimit, si dhe gjendja e sistemit bankar dhe roli i tij në financimin e ekonomisë.

Palët shkëmbyen gjithashtu analiza mbi perspektivën ekonomike dhe mbi procesin e vlerësimit të sektorit financiar, në kuadër të programit të përbashkët të FMN-së dhe Bankës Botërore (FSAP).

Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare vijon të tregojë qëndrueshmëri, ndërsa konsumi, investimet dhe aktiviteti i shërbimeve mbeten mbështetës të rritjes ekonomike. Ruajtja e këtij ritmi në afatin e gjatë kërkon rritjen e produktivitetit, forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe vijimin e reformave strukturore, duke shfrytëzuar edhe mundësitë që ofron procesi i integrimit evropian.

Përfaqësuesit e misionit të FMN-së vlerësuan qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe nënvizuan rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik. Ata theksuan se perspektiva ekonomike e vendit mbetet e favorshme, ndërsa pasiguritë në mjedisin ndërkombëtar kërkojnë politika të kujdesshme dhe forcim të kapaciteteve të ekonomisë për të përballuar goditje të mundshme.

Duke u ndalur tek inflacioni, Guvernatori Sejko theksoi se politika monetare mbetet e orientuar drejt garantimit të stabilitetit të çmimeve.

Banka e Shqipërisë po ndjek me kujdes ecurinë e çmimeve, zhvillimet në tregun e punës dhe ndikimet nga mjedisi i jashtëm, duke e mbështetur vendimmarrjen në të dhënat e reja dhe në parashikimet për ekonominë.

Misioni i FMN-së vuri në dukje se kalimi gradual drejt një qëndrimi neutral të politikës monetare ishte i përshtatshëm, duke pasur parasysh pozicionin ciklik të ekonomisë.

Një vend të rëndësishëm në takim zuri ecuria e sistemit bankar. Guvernatori Sejko u shpreh se sektori mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid, duke krijuar kushte për mbështetjen e mëtejshme të bizneseve dhe familjeve me financim.

Ai theksoi se premisat për vijimin e kreditimit mbeten pozitive, por kjo rritje duhet të ecë paralelisht me ruajtjen e cilësisë së portofolit dhe me vlerësimin e kujdesshëm të aftësisë paguese të kredimarrësve.

Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan rëndësinë e një sektori bankar të shëndetshëm për zhvillimin e ekonomisë dhe theksuan nevojën për monitorimin e vazhdueshëm të rreziqeve që shoqërojnë zgjerimin e kredisë.

Në këtë drejtim, u diskutua mbi rolin e mbikëqyrjes dhe të masave makroprudenciale në zbutjen e dobësive financiare dhe në forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit.

Ata mirëpritën ndryshimet e fundit në instrumentet e politikës makroprudenciale, të cilat, të kombinuara me masat e bazuara te huamarrësit, forcojnë rezistencën e përgjithshme të sistemit financiar.

Në vijim, palët u ndalën te procesi i vlerësimit FSAP dhe kontributi i tij në identifikimin e prioriteteve për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar. Guvernatori Sejko e cilësoi këtë proces si një mundësi të rëndësishme për të vlerësuar përparimin e bërë dhe për të orientuar reformat e ardhshme.

Misioni i FMN-së vlerësoi bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë, profesionalizmin e stafit dhe angazhimin e fortë të institucionit në mbështetje të këtij vlerësimi.

Misioni i FMN-së përshëndeti gjithashtu miratimin e ligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pavarësisë institucionale. Përfaqësuesit e misionit theksuan se ky ligj forcon bazën ligjore për përmbushjen e mandatit të bankës qendrore dhe rrit aftësinë e saj për t’iu përgjigjur sfidave ekonomike e financiare të vendit.

Në përfundim, Guvernatori Sejko falënderoi misionin për diskutimet dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm. Ai rikonfirmoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, si kushte thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

 

 

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Drejt zgjidhjes lirimi i brezit 700 MHz për rrjetet 5G, AKEP pritet ta tenderojë vitin e ardhshëm

Qeveria shqiptare pritet të zgjidhë më në fund çështjen e lirimit të brezit 700 MHz për teknologjinë 5G të komunikimeve celulare. Kuvendit i është ...

3 hours më parë 3 Min Lexim

SecuriMeter 2026: Perceptimi mbi korrupsionin rritet në Shqipëri, bie në Rajon

Në Shqipëri shqetësimet për korrupsionin janë rritur se tepërmi gjatë këtij viti, teksa në vendet e Ballkanit Perëndimor po shënojnë rënie. Sipas a...

7 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!