Vendosni fjalën kyçe....

PD denoncon administrimin e fondeve të rindërtimit: Mbi 104.7 miliardë lekë të raportuara, realizimi në vitin 2026 vetëm 14.8%


Partia Demokratike ngre shqetësime për mënyrën se si është administruar procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence, mangësi në planifikimin financiar dhe mosrealizim të fondeve të vëna në dispozicion.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, bëri të ditur se, bazuar në të dhënat dhe raportimet zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), gjatë periudhës 2019–2026 janë raportuar mbi 104.7 miliardë lekë për rindërtimin, ose rreth 1.16 miliardë euro.

Sipas Vangjelit, pavarësisht se kanë kaluar afro shtatë vite nga tërmeti, procesi vijon të kërkojë financime shtesë në disa bashki të vendit. Ajo iu referua gjithashtu raporteve të KLSH-së, të cilat, sipas saj, kanë evidentuar mangësi në koordinimin e projekteve, planifikimin afatgjatë dhe shpërndarjen e fondeve.

Një nga problematikat e ngritura nga përfaqësuesja e PD-së lidhet me diferencën mes vlerës së projekteve të miratuara dhe financimit faktik të tyre. Sipas të dhënave që ajo citon nga raporti i KLSH-së për zbatimin e buxhetit të vitit 2023, deri në fund të atij viti qeveria kishte miratuar projekte rindërtimi me vlerë 120.7 miliardë lekë, ndërsa financimi faktik arrinte në 91.3 miliardë lekë. Diferenca ishte rreth 29.4 miliardë lekë.

Vangjeli pretendon se problematikat nuk janë zgjidhur as në vitet pasuese. Ajo përmendi vendime të qeverisë të dhjetorit 2024 dhe dhjetorit 2025, përmes të cilave janë miratuar fonde shtesë për ndërtimin e banesave individuale në bashkitë Durrës, Kamëz, Mirditë, Shijak, Krujë dhe Vorë. Vetëm në vendimin e dhjetorit 2025, sipas saj, është miratuar një fond shtesë prej rreth 501.9 milionë lekësh.

Një tjetër shqetësim lidhet me realizimin financiar të Fondit të Rindërtimit gjatë vitit 2026. Duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Financave për periudhën janar–gusht, Vangjeli tha se janë realizuar vetëm 977 milionë lekë nga rreth 6.6 miliardë lekë fonde të disponueshme, ose 14.8% e totalit. Nga shuma e realizuar, 285 milionë lekë ishin investime kapitale, 8 milionë lekë shpenzime operative dhe 684 milionë lekë transferta për familjet.

Në deklaratë, PD sjell në vëmendje edhe të dhënat për vitin 2025. Sipas shifrave të cituara nga KLSH-ja, nga 9.045 miliardë lekë fonde të disponueshme u realizuan 3.157 miliardë lekë. Realizimi ishte 63.1% i fondit të planifikuar prej 5 miliardë lekësh, ndërsa 3.2665 miliardë lekë rezultonin të pashpërndara.

Vangjeli iu referua gjithashtu auditimeve të KLSH-së në Bashkinë e Tiranës dhe atë të Durrësit, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën e shpërndarjes së fondeve dhe administrimin e bonusit të qirasë. Sipas saj, në Tiranë, për periudhën 2020–2021, fondet e alokuara për infrastrukturën arrinin në 271% të nevojave të vlerësuara nga vlerësimi i përbashkët i nevojave pas fatkeqësisë (PDNA), ndërsa fondet për banesat mbulonin vetëm rreth 11% të nevojave.

Për Bashkinë e Durrësit, ajo përmendi verifikimin e 922 familjeve, nga të cilat për 68 prej tyre nuk ishin kryer ende inspektimet për vlerësimin e dëmeve në banesa. Sipas deklaratës, auditimi kishte evidentuar edhe raste të familjeve me banesa të pabanueshme, të cilat plotësonin kushtet për të përfituar bonusin e qirasë, por nuk e kishin marrë atë.

Një tjetër problematikë e ngritur lidhet me mungesën e informacionit publik mbi ecurinë e rindërtimit. Vangjeli tha se KLSH-ja kishte evidentuar se faqet zyrtare të Bashkive Tiranë dhe Durrës nuk përmbanin informacionin e nevojshëm për këtë proces.

Duke iu referuar edhe shpenzimeve për bonusin e qirasë, përfaqësuesja e PD-së kërkoi transparencë për fondet e përdorura dhe për familjet që vijojnë të mos kenë një zgjidhje për strehimin.

Në përfundim, Vangjeli i kërkoi kryeministrit Edi Rama të japë shpjegime për destinacionin e fondeve të rindërtimit, numrin e banesave të përfunduara dhe dorëzuara në secilën bashki, si dhe arsyet e mosrealizimit të investimeve. Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje për fondet e papërdorura dhe përgjegjësinë institucionale për vonesat në proces.

“Ku kanë shkuar miliardat e shpenzuara dhe pse realizimi faktik i fondeve mbetet kaq i ulët?”, ishte një nga pyetjet e drejtuara nga përfaqësuesja e opozitës.

Deklarata e PD-së vjen pak ditë përpara përvjetorit të shtatë të tërmetit të 26 nëntorit 2019. Sipas Vangjelit, qeveria duhet të japë llogari për administrimin e fondeve dhe për familjet që ende nuk kanë siguruar një zgjidhje për strehimin.