Elon Musk ka bërë një deklaratë të fortë për rolin e tij dhe të kompanisë SpaceX në luftën e Ukrainës, duke pretenduar se pa sistemin satelitor Starlink, Rusia do ta kishte pushtuar vendin shumë lehtë.
Në një intervistë miliarderi amerikan u vetëpozicionua si një nga mbështetësit më të rëndësishëm të Kievit, duke theksuar se Starlink ishte sistemi i vetëm i komunikimit që Rusia nuk arriti të neutralizonte pas nisjes së pushtimit.
Sipas Musk, shkatërrimi i kullave të telefonisë celulare, kabllove me fibra optike dhe sistemeve të tjera të komunikimit e bëri Starlink jetik për ushtrinë dhe institucionet ukrainase.
“Besoj se nuk ka asnjë individ privat që e ka ndihmuar Ukrainën më shumë se unë. U sigurova që Starlink të ishte vendosur paraprakisht në Ukrainë, përpara pushtimit rus.”- u shpreh Musk.
Musk shkoi edhe më tej, duke paralajmëruar se ndërprerja e shërbimit do të kishte pasoja katastrofike për ushtrinë ukrainase.
“Nëse do ta fiknim Starlinkun, i gjithë fronti ukrainas do të shkatërrohej menjëherë.”- shtoi ai.
Ndërkohë, ai zbuloi se SpaceX kishte ndërhyrë për të kufizuar përdorimin e Starlink nga dronët sulmues ukrainas, duke argumentuar se sistemi civil nuk ishte projektuar për operacione të tilla ushtarake.
Sipas tij, nëse Ukraina dëshiron ta përdorë teknologjinë për operacione ushtarake, duhet të sigurojë akses në Starshield, një sistem tjetër i kontrolluar nga qeveria amerikane.
Në fund, Musk hodhi poshtë përgjegjësinë për pasojat e luftës, duke kritikuar ata që, sipas tij, nxisin vazhdimin e konfliktit pa ofruar një zgjidhje reale për paqen.






Komente
Komento